Ka kontekste historike, si ky në të cilin ndodhemi, ku 100 ditë mund të kenë impaktin e një epokë!
Bilall Sherifi
Kisha vendosur të mos jap ndonjë qëndrim lidhur me zhvillimet politike në vend dhe të respektoja afatin e “100 ditëve të famshme” të qeverisjeve demokratike. Mirëpo, ka kontekste historike, si ky në të cilin ndodhemi, ku 100 ditë mund të kenë impaktin e një epoke!
Dinamika e rrënimit të marrëdhënieve me SHBA-të është alarmuese dhe askush nuk mund të përjashtojë hipotezën që kjo dinamikë politike të ndajë historinë e shtetit të Kosovës në Epokën PARA rrënimit të marrëdhënieve me SHBA-të dhe Epokën PAS rrënimit të këtyre marrëdhënieve.
Nëse dikush mendon se duhet respektuar “100 ditëshin” për të parë si do të veprojë Qeveria Kurti, një gjë është e sigurt: Kosova nuk ka asnjë ditë në dispozicion për të lejuar aventura të tilla që vënë Kosovën përballë rreziqeve të paparashikueshme.
Një numër reagimesh vënë theksin e kritikave në politikën VV-së, në përgjithësi, dhe të Albin Kurtit, si kryeministër, në veçanti. Kritikat e kësaj natyre nuk janë tërësisht objektive, për arsye se në kritikat e tyre nuk përfshihen të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë situatë.
Të mos harrojmë atë që është thelbësore për të kuptuar peshën e vërtetë të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën ndodhemi: në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 29 mandate, që përbën përafërsisht një të katërtën e numrit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës. Pa mbështetjen e 28 deputetëve të LDK-së dhe të 10 deputetëve të komuniteteve jo shumicë, Albin Kurti nuk do të kishte pasur fuqinë institucionale të zbatonte aventurat e tij, sepse nuk do të kishte pasur 61 deputetët e mjaftueshëm për një gjë të tillë.
Një Mocion Mosbesimi ndaj qeverisë në Kuvendin e Kosovës, aty ku ka marrë besimin kjo qeveri, do të nxirrte në shesh nëse për LDK-në, për kryetarin e saj Isa Mustafa, për ministrat e LDK-së në qeveri, për deputetët e kësaj partie që shprehin mospajtimet me qëndrimet e z. Kurti është më e rëndësishme të mbeten në qeveri apo të ruhen marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nëse LDK vazhdon me kritikat dhe qëndron në qeveri, atëherë ajo do ta ndajë përgjegjësinë për rrënimin e marrëdhënieve jetike për shtetin e Kosovës. Pa zbatimin e një mocioni të tillë, kundërshtitë individuale të eksponentëve të lartpërmendur të LDK-së do të mbeten vetëm si kritika në kuadër të profileve të tyre të “Facebookut” apo “Twitterit”!