Ka ndërruar jetë miku i madh i shqiptarëve Beat Schaffer
Ka ndërruar jetë miku i madh i shqiptarëve, përkrahësi i orëve të para për Pavarësinë e Kosovës, Beatt Schaffer.
Me ndihmën e zviceranit, Beatt Schafer, është marrë leja e parë për demonstratën e parë të 11 prillit 1981 në Bern, në përkrahje të Kosovës dhe kërkesave të drejta të shqiptarëve për Republikën e Kosovës.
Në librarinë e Beat Schaffer është mbajtur takimi i parë i Kadri Zekës, Beatt Schafferit, Hydajet Hysenit e disa veprimtarëve, e cila njihet si bërthama e parë e organizimit të pavarur të shqiptarëve në Zvicër për Republikën e Kosovës.
Beat Schaffer ka jetuar dhe vepruar në qytetin Biel/Bienne.
Me ndihmën e tij, heroi Kadri Zeka, ka arritur ta hapë kontakt adresën e parë për shpërndarjen e librave shqip nga Shqipëria dhe të gazetave ilegale. Kjo përkrahje pastaj ka vazhduar gjatë gjithë kohës, deri në çlirimin e Kosovës. Në këtë librari, për disa vite rresht, ka qenë kontakt adresa e gazetës «Zëri i Kosovës».
Për shkak përkrahjes së madhe dhe angazhimit konkret për Pavarësinë e Kosovës, UDB-ja ish jugosllave kishte vendosur bombë në librarinë e tij në Badhaustrasse në Biel/Bienne, e cila për fat të mirë ishte zbuluar pak para shpërthimit.
Beat Schafer, bashkë me bashkëshorten Kathrin Assal, kanë qenë pjesëmarrës aktiv në shumë tubime e demonstrata dhe kudo që kanë shkuar dhe në mjetet e informimit zviceran kanë propaganduar pandalur kërkesën Kosova Republikë dhe kanë përkrahur veprimtarët e atyre viteve në strehimin dhe mbrojtjen e tyre nga shteti jugosllav. Për disa vite rresht (1981-1990), Beat Schaffer me bashkëshorten, Kathrin Assal, kanë shkruar, përthyer dhe shpërndarë mijëra trakte në gjuhën gjermane për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga shteti jugosllav dhe për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
Shteti i Kosovës, ka për obligim moral që t’i ndaj mirënjohje post-mortum dhe dekoratë për kontributin e tij të madh në afirmimin e të drejtave të shqiptarëve për Pavarësinë e Kosovës!
Varrimi i të ndjerit bëhet më 13 shtator, në ora 15:00 në varrezat, Madretsch në Biel, Bienne.
(Ismet Rashiti)