Ka ndërruar jetë Ramadan Zaplluzha i njohur në botën e artit si Therrë Murrizi
Ka ndërruar jetë Ramadan Zaplluzha, që në botën e artit njihet si Therrë Murrizi.
Sot, lajmin për ndarjen nga jeta të Ramadan Zaplluzhës e kanë bërë të ditur familjarët.
Ramadan Zaplluzha – Therrë Murrizi u lind më 28 prill 1938 në Prizren. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje kurse Normalen më 1957 në Prishtinë. Pas mbarimit të Normales u kthye për të kontribuar në arsimin shqip, fillimisht në Rahovec, pastaj në Malishevë dhe në Prizren.
Fushëveprimtaria e artistit dhe pedagogut Zaplluzha është e madhe, mbi 60 vjet krijimtari në vizatim, karikaturë dhe strip. Shumë breza janë rritur me karikaturat e Therrë Murrizit. Qysh në vitin 1945 ai botoi karikaturat e para në “Zani i Rinisë” e më pas mbi 80 gazeta brenda dhe jashtë vendit. Emrin artistik “Therrë Murrizi” e mban nga viti 1960.
Stripin e kultivoi me pasion të madh, dhe është një pishtar i cili ka mbi 50 tituj të botuar në strip. Fillimet e tij të para janë në revista, si “Pioneri”, “Gëzimi” dhe “Rilindja”. Tematikat e tij janë të mbledhura në tri vëllime në katalogje “S’më ha palla për kopalla” në vitin 1997, “Vizga me thepe 1” dhe “Vizga me thepe 2” e vitit 2003.
Ai ka ilustruar shumë libra për fëmijë dhe të rritur. Stripet më të famshëm të tijë janë: “Arbëri nuk vdes kurrë”, “Trimi i Skendërbeut”, “Vëzhgimi”, “Arrestimi”, “Operacioni” etj.
Therrë Murrizi ka mbi gjashtë ekspozita personale dhe shumë kolektive, brenda dhe jashtë Kosovës, duke na ofruar mbi 3 000 punime grafike dhe një thesar me novela të ilustruara, si “Borëbardha”, “Betmeni”, “Spiderman”, “Hirushja” etj.
Therrë Murizi deri në fund të jetës nuk u nda nga karikatura të cilën e patë pasion jetësor.