A KA PAJTIM ME SERBINË DHE KUR MUND TË NDODHË PAJTIMI?
Analizë e KMDLNj-së
Nuk ka përfunduar ende spiralja e dhunës: Kohëve të fundit është një përndezje emocionale, spekulative dhe politike e disa liderëve kosovarë që, duke menduar se do të bëhen pjesë e historisë, ata do të jenë bartës dhe finalizues të pajtimit me Serbinë e cila, për më shumë se 100 vjet i shtypi shqiptarët, deri në gjenocid sikur që ishte lufta e fundit e viteve 1997 – 1999 në Kosovë.
Ideja e pajtimit me Serbinë nuk është e ditëve tona por u aktualizua menjëherë pas përfundimit të luftës sipas parimit: “ta rrahim hekurin sa është i nxehtë ..” dhe këtë rol e mori ish-kryeadministatori i Kosovës, Bernard Kushner ndërkaq njeriun kyç që do ta zbatonte këtë proces nga ana kosovare e gjeti në personalitetin karizmatik dhe autoritetin e pakontestueshëm moral dhe kombëtar, z. Adem Demaçi me të cilin, në zyrat e KMDLNj pati disa takime.
Z. Kushner ishte praktik dhe pragmatik, dinak dhe insistues sikur që shërbente si katalizator i këtij procesi duke menduar se Adem Demaçi do ta pranonte çdo kusht nga z. Kushner e këto kushte ishin kryesisht në linjën e interesave të Serbisë. Për model ishte marrë rasti i Afrikës së Jugut ndonëse kishte dallime përmbajtësore dhe të papajtueshme midis këtyre dy rasteve, Afrikës së Jugut apo Mendeles dhe W.de Klerk dhe udhëheqësve të përkohshëm kosovarë dhe regjimit në Serbi i cili vendnumëronte duke mos treguar fare vullnet dhe gatishmëri që, përmes kërkimfaljes, si veprim simbolik dhe moral, të hapë rrugën për procesin e pajtimit i cili, për të painformuarit zgjatë shumë gjatë dhe është jashtëzakonisht i ndërlikuar.
Për dallim nga Kosova, në Afrikën e Jugut, Nelson Mendela, si udhëheqës shpirtërorë dhe politik i atyre që luftuan dhe e fituan luftën, përveç autoritetit të pakundërshtueshëm, ishte i veshur edhe me fuqi politike e që nënkuptonte se vendimmarrja për ecurinë e këtij procesi, suksesit apo dështimit ishte te vet Mendela. Williem de Klerk, si udhëheqës i palës që për më shumë se 250 vjet e mbajti si koloni Afrikën e Jugut, edhe pas humbjes së luftës ishte forcë që duhet të pyetej për përfundimin e bisedimeve dhe fatin e procesit të pajtimit.
Ishte qëndrim i përbashkët se marrëveshja për paqe, përmes normalizimit të marëdhënieve pashmangshëm duhet të ndodhë se ishte përgjegjësi e dy palëve, më shumë e palës fituese e cila duhej ta pengonte hakmarrjen ndaj të bardhëve që kishin bërë krime të shumta të luftës. Ishte një problem se në çështjen e ballafaqimit me të kaluarën, si kusht i domosdoshëm për normalizim dhe pajtim, ishin dy pozicione krejtësisht të kundërta dhe përjashtuese; Mendela kërkonte që të hetohen dhe gjykohen të gjithë ata që kishin kryer krime përfshirë këtu edhe de Klerkun ndërkaq pala kolonizuese për më shumë se 250 vjet kërkonte që të mos dënohej asnjë individ nga ana e kolonizuesve. Në këtë situatë duhej një autoritet moral që do të pranohej nga të dyja palët si dhe ndërmjetësuesit dhe kjo figurë u gjetë në personalitetin e peshkopit Desmond Tutu që luajti rol vendimtar në këtë proces. Dhe procesi vazhdoi për të mos përfunduar krejtësisht as sot.
Adem Demaçi kishte kushte, krejtësisht normale kundrejt ato të Kushnerit që ishin në linjën e Serbisë: Pas disa takimeve në zyrat e KMDLNj-së, Adem Demaçi i parashtroi disa kushte që do duhej të plotësoheshin nga Serbia për të vazhduar më tej; kërkimfalja e Serbisë për krimet në Kosovë, lirimi i të gjithë të burgosurve, pengjeve të luftës që ishin në burgjet e Serbisë, zbardhja e fatit për personat e zhdukur, zbulimi i lokacioneve të varrezave masive, zbulimi i vendeve të minuara e që merrnin shumë jetëra në Kosovë, dorëzimi dhe gjykimi i të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, kompensimi i dëmeve materiale që kishte bërë Serbia në Kosovë, kthimi i mjeteve nga fondi pensional dhe kursimet e qytetarëve të Kosovës e që ishin në bankat e Serbisë, kthimi i arkivave dhe artefakteve kulturore, hisja e Kosovës në ndarjen e pasurisë sikur që e fituan të gjitha republikat dhe mosndërhyrja e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës.
Sigurisht, pas konsultimeve, z. Kushner i tha Adem Demaçit se kushtet e parashtruara nga ana e z. Demaçi ishin krejtësisht të papranueshme për Serbinë prandaj as që mund të diskutohet për to. Adem Demaçi atëherë u përgjigj se pa plotësimin e këtyre kushteve as që do të bëhen përpjekje për normalizim të marëdhënieve ndërkaq për pajtim, në rrethanat ekzistuese vetëm mund të imagjinohet dhe pasi nuk po i pranoni kushtet tona atëherë shkoni dhe bisedoni me Serbinë. Serbia është shkaktare e luftës dhe gjenocidit në Kosovë prandaj adresa e përgjegjësisë për këtë është e padiskutueshme. Pas kësaj nuk kishte më takime midis Adem Demaçit dhe kryeadministratorit të Kosovës, z. Bernard Kushner. Adem Demaçi nuk bëri lëshime që e dëmtonin Kosovën prandaj ky proces u shua që në fillim.
Më vonë, presidenti i Serbisë, njëri ndër ideologët e krimit të Serbisë në Kosovë, Vojisllav Koshtunica e bëri një komision shtetërorë të Serbisë për pajtim e që ishte e qartë se e bëri për qëllime politike sepse kërkonte amnisti dhe pandëshkueshmëri për ata që bënë krime në Kosovë. Nga ana kosovare, në këtë proces të “pajtimit” parashiheshin personalitete që kurrë nuk kishin pasur problem e as pasoja nga Serbia , personalitete jo të besueshme, në çdo aspekt.!
Grupi Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim, fillimi politik dhe shuarja politike: Me “përparimin” e bisedimeve “teknike” midis bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë ku Kosova ishte pjesëmarrës pasiv dhe jondikues u riaktualizua procesi i ballafaqimit me të kaluarën dhe pajtim dhe për këtë u formua Grupi Punues për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim që përbëhej nga pjesa institucionale dhe shoqëria civile. Themelues ishte kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi dhe drejtohej nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit.
Ishte një dallim i madhe sepse përfaqësuesit institucionalë nuk kishin njohuri për këtë proces kurse shoqëria civile që kishte punuar një kohë të gjatë ishte njohëse e mirë e këtij procesi prandaj ishte shpirti, zemra, mendja dhe truri i këtij procesi por se nuk kishte fare përkrahje nga themeluesi dhe as nga ndërkombëtarët që kishin ndikim vendimtar. UNDP-ja, si mami e të gjitha proceseve në Kosovë edhe aty ku nuk do të duhej të përfshihej fare, ishte lehtësues duke ofruar “ekspertizë profesionale” dhe përkrahje të vogël financiare në ndërkohë që menaxhonte fondet për këtë proces. Madje edhe ato të Kosovës. Shoqëria civile bëri punë të madhe dhe të mirë në këtë grup krejtësisht në baza vullnetare. Ishte e paracaktuar që ky grup të mos jetë funksional dhe me ndërrimin e qeverisë, erdhi edhe drejtuesi i ri i këtij grupi i cili nuk ishte fare i familjarizuar me punën e grupit, duke e vazhduar projektin e dështimit.
Ky grup u formua për qëllime politike dhe nevoja personale përkatësisht për nevoja fiziologjike – politike të Hashim Thaçit, ish-kryeministër për të vazhduar me Isa Mustafën i cili nuk kishte ide fare se ç’duhej bërë me këtë proces duke e trashëguar këtë nga ish-kryeministri. Ky grup, me kalimin e kohës ra në koma dhe ishte buzë shuarjes e që u bë me vullnetin e themeluesit të parë, Hashim Thaçit, i cili, me përparimin e procesit të bisedimeve për “normalizim”, doli me idenë për themelimin e një Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtim , cili , sikur edhe grupi i mëparshëm ishte dhe mbeti instrument politik dhe qëllimi është e kundërta e asaj që proklamohej.
Lansimin e kësaj ideje e bëri me ndihmën e disa personaliteteve ndërkombëtare, hulumtues dhe përfitues të të mirave materiale. Edhe ky Komision, me emër të madh por me përmbajtje politike dhe mashtruese, ende pa u formuar po keqpërdoret për qëllime politike. Për formimin e këtij Komisioni (këtë ide e kishte edhe Kushneri domosdoshmërisht duhet të plotësohen disa parakushte e që, thuaja në asnjërën pikë nuk janë plotësuar, prandaj është iluzore të besohet se ky Komision mund të jetë i suksesshëm. Është formuar një grup teknik për draftimin e një infrastrukture ligjore për formimin, mandatin dhe afatizimin e punës së Komisionit anëtarët e së cilës kanë rol ekskluzivisht teknik dhe se ata nuk do të kenë të drejtë të jenë anëtarë të ardhshëm të këtij komisioni.
Anëtarët e këtij grupi teknik nuk kanë nevojë t’i shpikin “rrezet e diellit” por vetëm duhet t’i modifikojnë ato që i ka finalizuar Grupi Ndërministrorë për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim. Edhe ky Komision do të jetë bisht i zgjatur i bisedimeve dhe vendimeve politike duke mos e përmbushur kërkesën dhe shpresën e viktimave për drejtësi prandaj dështimin e ka të garantuar. Askush sot në Serbi e as në Kosovë, nga ata krerët e vendimmarrjes politike nuk është i interesuar, as për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë kurse për pajtim as që mund të paramendohet.
Pajtimi si akt administrativ apo vullnet i palëve: Nuk ka luftë që nuk ka fund sikur që nuk ka armiqësi të paskajshme. Nuk ka përparim pa normalizim të marrëdhënieve sikur që nuk ka qetësi dhe siguri, pa pajtim. Edhe shtetet që kanë bërë luftëra qindravjeçare i kanë dhënë fund armiqësive duke u shndërruar në aleatë. Shembull për këtë e kemi Francën dhe Gjermaninë. Nuk ka normalizim e as pajtim pa u ballafaquar me të kaluarën, pa u filtruar para drejtësisë, pa ndryshuar vetëdijen dhe pa u bindur se ky është vullnet i të dyja palëve. Dhe interes i të dyja palëve. Sigurisht se është i domosdoshëm kërkimfalja, si parakusht i suksesit të proceseve tjera.
Duhet të përmbushen katër shtyllat e drejtësisë transicionale nëse duam të shpresojmë se kemi hyrë në rrugë të mbarë, shumë të gjatë e që stacionin e fundit e ka pajtimin, si shprehje e vullnetit dhe domosdoshmërisë e jo si diktat i një marrëveshjeje të imponuar apo si akt administrativ. Është shumë e qartë se politikanët aktualë në Serbi dhe në Kosovë nuk mund ta arrijnë pajtimin por se janë të detyruar të bisedojnë për normalizim të marrëdhënieve edhe përkundër dëshirës së tyre. Gjatë rrugës së gjatë të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe maratonës drejt pajtimit, nëse vërtet do të funksiononte Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtim, shumë politikanë do të përfundonin në burg, të tjerët do të detyrohen , pas një kohe të caktuar, me “vetdëshirë” të tërhiqen nga politika kurse disa do t’i eliminojë biologjia dhe patologjia.
Po ku jemi në këtë drejtim: Në hapësirat e ish-Jugosllavisë ishte formuar një nismë për të vërtetën dhe pajtim, një iniciativë rajonale e quajtur REKOM, apo aleancë trepalëshe Beograd – Sarajevë – Zagreb ku Kosova llogaritej si pjesë e Serbisë e të cilën KMDLNj e pati kundërshtuar dhe nuk ka pranuar të jetë pjesë e saj. Ky farë REKOM-i gjeti aleatë në Kosovë, ku për një grusht parash (shumica e parave shkonte në Beograd dhe Zagreb kurse Sarajeva ishte diskriminuar prandaj për një kohë u tërhoq nga ky bosht trepalësh) sikur që instrumentalizoi disa politikanë kosovarë që kishin traditë të bashkëpunimit në kohën e ish-Jugosllavisë.
Ky farë REKOM-i, tash si fantazmë ka lëshuar pipëzat edhe në grupin teknik sikur edhe, pa asnjë dyshim mund dhe do të jetë në përbërje të këtij Komisioni e që do ta shndërronte procesin e pajtimit nga një akt i vullnetshëm, në një akt administrativ. Mund të pajtohet dhe mund të falë vetëm ai që ka pësuar, ata që nuk kanë pësuar vetëm mund të përfitojnë! Këtij procesi dhe në përbërje të këtij Komisioni mund të jenë autoritetet kombëtare dhe morale, që njerëzoren e kanë mbi interesat personale. Duhet të ndryshojë konteksti politik, mendorë dhe kulturorë në mënyrë që ky proces të përparojë. Në Serbi aktualisht nuk kemi asnjë ndryshim që do të kontribuonte në përmbushjen e shtyllave të drejtësisë transicionale e sidomos shtyllës së katërt për mospërsëritje të së kaluarës së dhunshme. Me ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës dhe me praninë e strukturave paralele të të gjitha lëmive e të sigurisë në veçanti, Serbia po dërgon porosi të qartë se nuk ka ndërmend ta përmbush këtë shtyllë të katërt të drejtësisë transicionale, garancisë për mospërsëritje.
Edhe në Kosovë ka politikanë që nuk duan të ballafaqohen me të kaluarën apo duan vetëm nëse një të kaluar inkriminuese ta shesin si vlerë demokratike dhe të pranuar si të tillë nga ndërkombëtarët. Nuk ka ballafaqim me të kaluarën kur e doni të kaluarën e palës kundërshtare si e kaluar kriminale kurse të kaluarën tuaj si diçka patriotike! Nuk ka drejtësi për viktimat tuaja kurse viktimat e palës tjetër i konsideroni si kriminelë, ende pa u përfunduar hetimet!
Nuk ka drejtësi, as tradicionale e as transicionale kur ata të palës tjetër, apriori cilësohen si kriminelë kurse këta të palës suaj i cilësoni si patriotë ndonëse natyra e krimeve të bëra nuk dallojnë aspak. Në Serbi nuk ka as autoritete morale; kisha ortodokse serbe është projektues, bekues dhe kupola e krimit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Inteligjenca e Serbisë e shpërfytyruar në Akademinë e shkencave serbe është përpilues i planeve dhe projekteve të krimeve në Kosovë, mediet serbe kanë qenë frymëzues dhe mbulues i krimeve në Kosovë kurse vetëm një pjesë e shoqërisë civile në Serbi kishte në angazhim kundër luftës në Kosovë. Sot në Serbi nuk ka autoritet moral, politik dhe kombëtar që do të distancohej nga e kaluara kriminale serbe në Kosovë e që do të kontribuonte në procesin e nisjes së një rrugëtimi të gjatë të pajtimit.
As në Kosovë nuk ka autoritete morale që do ta merrnin barrën e këtij procesi duke qenë i paanshëm dhe i drejtë. Autoritetet fetare janë manipuluar skajshmërisht, ose duke qenë pjesë aktive e krimit, ose duke u instrumentalizuar nga politika. Kisha ortodokse serbe ishte pjesë e krimit kurse BIK është i instrumentalizuar nga politika.
Kleri katolikë në Kosovë është oportunist dhe përfitues i madh material prandaj edhe sillet si i tillë. Në Kosovë nuk ka shoqëri civile apo individ në mesin e saj që e kanë guximin të përballen me këtë proces, pa u ndikuar nga politika apo të fortit.
Ndërkombëtarët në këtë proces janë krejtësisht hipokritë duke kërkuar drejtësi vetëm në baza etnike dhe duke viktimizuar përsëri viktimat për një përfitim politik apo për ndërtimin e një paqeje të imponuar. Shembull më të mirë e keni Gjykatën Speciale si shembull se si nuk do të duhej të shpaguheshin viktimat për vuajtjet e tyre sikur edhe se si nuk do të duhej të dënoheshin të dyshuarit për krime lufte, kësaj radhe në mënyrë selektive.
Në këtë kontekst në Kosovë nuk mund të ketë pajtim të vullnetshëm por pajtim me akte administrative, pa siguruar drejtësi për viktimat dhe pa siguruar përgjegjësi për ata që u provohet se kanë bërë krime, pavarësisht përkatësisë etnike, politike, statusit shoqërorë, bindjeve fetare etj.
Prandaj kemi situata kur nga pala serbe përmes kriminelëve të luftës si Sheshel, Vulin, Drecun, Odaloviq etj., nuk pranohen përpjekjet për pajtim nëse nuk e përjashtojnë Serbinë nga çdo përgjegjësi për këto krime apo situata kur kryeministri Haradinaj, sigurisht në mungesë të informatave për këtë proces deklaron se do të pajtohemi me Serbinë në rast se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës duke neglizhuar faktin se njohja e pavarësisë është akt politik kurse pajtimi është çështje e vullneti të dyanshëm, sigurimit të drejtësisë për viktima dhe përgjegjësisë për shkelësit e së drejtës humanitare dhe se, në shumë raste njohja e pavarësisë nuk është kusht dhe nuk përfundon me pajtim.
Edhe pas njohjes së pavarësisë, drejtësia duhet ta bëjë punën e saj, deri në mënjanimin e të gjithë faktorëve që kanë ndikuar për këtë tragjedi që ndodhi gjatë luftës së fundit në Kosovë. Përpjekje për riciklim të vëllazërim – bashkimit sipas “Mirëdita, Dobar dan” është e kundërta e asaj që kërkon një proces i mirëfilltë i normalizimit të marrëdhënieve e sidomos për pajtim të domosdoshëm i cili nuk ka alternativë por se mund të vonohet.
Përfundimisht, këta politikanë, në Serbi dhe Kosovë do të detyrohen ta nënshkruajnë një normalizim të imponuar por se do të jenë dhe janë pengesë për një normalizim të dëshiruar kurse, duhet të jeni i çmendur krejtësisht dhe të besoni se këta mund ta përfundojnë procesin e pajtimit. Jam i sigurt se nuk janë të interesuar, as për normalizim të raporteve e lëre më për pajtim.