Ka pasur xhami edhe në Drenicë që s’kanë qenë të kontrolluara nga BIK-u
Imami nga Drenasi, Mulla Osman Musliu, ka deklaruar se Serbia ka pasur ndikim të thellë në strukturat fetare, duke përfshirë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sistemin arsimor dhe institucione të tjera të vendit.
Ai shtoi se shteti i Kosovës ka filluar vonë të merret me këto çështje dhe se disa xhami, si ato në Drenicë, Prishtinë dhe Prizren, kanë qenë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Ne dina që ka pasur edhe brenda UÇK-së edhe brenda arsimit, pra në të gjitha strukturat Serbia i ka duart e veta pasi ka qenë një shtet që mbi 100 vite na ka sundu, ka manipulu e ka bashkëpunëtorë. Shteti ynë vonë ja ka nis të merret me këto sene. Edhe xhamitë midis Drenice, ka pasur xhami që ka qenë jo nën kontrollin e Bashkësisë Islame, Musliu ka ndenjur me veshtë n’lesh, ka pasur xhami edhe në Prishtinë, Prizren, ka hoxhallarë, ka priftë, gjykatës e prokurorë ka policë. Të vetmit jemi ne një grup hoxhallarësh që i jemi dalë kundër kolegëve të profesionit tonë”, ka deklaruar ai.
Musliu ka theksuar se një grup i vogël hoxhallarësh janë kundërshtarë të kolegëve të tyre të cilët, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në manipulime dhe bashkëpunime të dyshimta.
“Norma që Serbia ka qenë shtet i organizum i ka pasur rrënjët në të gjitha bashkësitë fetare. Mirëpo ne jemi një grup hoxhallarësh që bukur herët i kemi treguar këtij vendi këtyre institucioneve ndoshta jemi i vetmi grup hoxhallarët se as s’janë gazetarët as politikanët as mjekët as juristët as këta analistët e juaj të cilët i kanë luftuar shokët e vet që janë brenda strukturave tyre. Unë një prej tyre hoxhallarëve në fillim kam treguar që vehabizmi nuk është prodhim i joni është prodhimi huaj a është i Beogradit apo i Moskës nuk e di por e ka dit që prodhim shqiptar nuk është e as islam. Pra ne edhe nëpër objekte fetare e dimë se kemi pasur manipulime ka pasur hoxhallarë kemi folur, jemi rrahur jemi sulmuar jemi etiketuar nuk kanë lënë gjë pa na thënë”, ka deklaruar ai.