Ka refuzuar ftesën e Chalandesit, kapiteni i Kosovës U-21 mund të vishet kuqezi

14 tetor 2018 | 11:57

Kosova është gati për një tjetër sfidë të madhe në Ligën e Kombeve. Në ndeshjen e sotme në transfertë kundër Ishujve Faroe, në orën 18:00, “dardanët” do të vuajnë mungesa jo pak të rëndësishme. Mbrojtësit e krahut, Benjamin Kololli dhe Leart Paqarada, si dhe mesfushori Hekuran Kryeziu janë mungesa të sigurta, prandaj dhe trajneri Bernard Chalandes do të bëjë ndryshime në formacion.

Gjasat janë që në krahun e majtë të mbrojtjes të luajë futbollisti i Skënderbeut, Fidan Aliti, i cili ndaj Maltës ishte 90 minuta në fushë në rolin e qendërmbrojtësit. Mirëpo, mediat kanë zbuluar se Chalandes ka kërkuar të grumbullojë në minutat e fundit kapitenin e Kosovës U-21, Ardian Ismajli. Mbrojtësi që mund të luajë në qendër dhe nga krahët e ka refuzuar këtë ftesë. Sipas asaj që raporton portali “Gazeta Olle”, lojtari është i pakënaqur me trajtimin që i ka bërë trajneri zviceran, i cili nuk e llogariti për ndeshjet e shtatorit.

Mbrojtësi i Hajdukut të Splitit në mars ishte afër Kombëtares A të Shqipërisë, por presidenti i ndjerë, Fadil Vokrri, e bindi të vazhdojë me Kosovën. Ai debutoi në miqësore kundër Shqipërisë, duke bërë një paraqitje shumë të mirë. Ardiani nuk ka luajtur asnjë minutë në ndeshjet zyrtare me Kosovën A dhe gjasat janë që të ndjekë rrugën e qendërmbrojtësit Kastriot Dermaku, i cili la Kosovë për Kombëtaren A të Shqipërisë.

Sa i përket ndeshjes së sotme me Ishujt Faroe, dje në konferencën për shtyp, trajneri Chalandes ndër të tjera deklaroi: “Do të jetë ndeshje shumë më e vështirë se ndaj Maltës, por ne jemi ata që duhet të vazhdojmë me mënyrën sesi kemi luajtur deri tani, duke fituar në Ishujt Faroe”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një vrasje ka ndodhur sot në qytetin e Gjakovës. Nga…