Kabashi: Ballkani nuk dorëzohet asnjëherë
Presidenti i skuadrës së Ballkanit, Arsim Kabashi, ka thënë se skuadra nga Suhareka nuk është dorëzuar, por synon t’u rikthehet rezultateve pozitive.
Sipas tij, askush në klub nuk është dorëzuar, përfshirë edhe donatorët, të cilët janë të bindur se Ballkani do të jetë ndër ekipet më të respektuara në Kosovë, pasi ka traditë 70-vjeçare.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që rezultatet e arritura në fushën e blertë nuk janë ato të cilat ne kemi kërkuar nga fillimi i këtij kampionati në Superligë dhe këtu kanë ndikuar shumë faktorë, pa dashur të veçojmë ndonjë. Unë si sponsor apo president i klubit, por edhe kryesia dhe sponsorët e tjerë nuk jemi dorëzuar asnjëherë dhe nuk do të dorëzohemi asnjëherë derisa ta rendisim Ballkanin ndër ekipet më të respektuara dhe më të mira në Kosovë. Ballkani ka një traditë mbi 70-vjeçare dhe e meriton të jetë ndër ekipet më të mira në vend”, ka thënë Kabashi.
“Ne do ta analizojmë situatën e krijuar në klub dhe do të vazhdojmë të punojmë me shumë vullnet dhe dashuri për FC Ballkanin, sepse duam ta bëjmë skuadrën që të gjithë e duan, t’i gëzojmë të gjithë me suksese dhe ta bëjmë krenar qytetin. Prandaj kërkojmë mirëkuptimin tuaj, mbështetjen tuaj, pasi së bashku është më lehtë dhe së bashku jemi të bindur se do t’u kthehemi rezultateve pozitive që nga ndeshja e fundjavës dhe të vazhdojmë me ndeshjet e radhës”, ka deklaruar Kabashi.
/Epoka e re/