Kadaj-Bujupi: Duhet kujdes i shtuar në politikat sociale
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, ka vizituar të martën Odën e Afarizmit të Kosovës (OAK).
Përfaqësuesit e OAK-ut e kanë përshëndetur iniciativën e deputetes, Kadaj Bujupi, për projektrezolutën për shtesat e fëmijëve.
Deputetja Kadaj-Bujupi ka theksuar rëndësinë që ka aplikimi i shtesave të fëmijëve, duke filluar me nga 10 euro në muaj për fillim për fëmijë, e pastaj në të ardhmen kjo shumë pritet të rritet edhe më shumë.
Ajo ka thënë se kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet edhe politikave sociale dhe faktit se në vendet e rajonit shtesat e fëmijëve dhe stimulimet e tjera janë të aplikueshme.
Deputetja Kadaj Bujupi ka bërë me dije se kanë bërë hulumtim lidhur me koston e këtij propozimi, e cila do të jetë rreth 80 milionë euro nga buxheti shtetëror.
Sipas saj kjo kosto është e përballueshme për faktin se investimet kapitale në infrastrukturë janë pothuajse drejt finalizimit.
Kadaj-Bujupi ka përshëndetur edhe rekomandimet që OAK-u ka përgatitur për ligjin e punës, duke theksuar se në këtë formë stimulohet punësimi i grave në sektorin privat.
Ajo ka thënë se do ta kenë përkrahjen e grupit parlamentar të AAK-së për këtë iniciativë.