Kadaj-Bujupi: Në Pakon Fiskale të përfshihen edhe nënat vetushqyese dhe punëtorët pa kontrata

04 prill 2020 | 16:29

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar që në pakon fiskale të Qeverisë së Kosovës, për të ndihmuar kategoritë e ndryshme të shoqërisë pas krizës që shkaktoi coronavirusi, të përfshihen edhe nënat vetushqyese si dhe punëtorët pa kontrata.

Ajo ka deklaruar se përkundër kufizimeve buxhetore, gjendja në vend e shkaktuar nga pandemia rrezikon më së shumti të dobëtit dhe të përjashtuarit.

“Në pakon fiskale emergjente të përfshihen edhe nënat vetushqyese dhe punëtorët pa kontrata. Përkundër kufizimeve buxhetore, gjendja në vend e shkaktuar nga pandemia rrezikon më së shumti të dobëtit dhe të përjashtuarit. Në këtë rast konsideroj se në pakon emergjente fiskale duhet të përfshihen kategoritë e rrezikuara, duke studiuar nevojat dhe prioritetet”, ka shkruar ajo në  “Facebook”.

Ajo ka thënë se gjendja e nënave vetushqyese është e rëndë edhe në situatë normale. “Nënat vetushqyese të cilat sfidohen edhe në situate normale, e lëre më tani në kohë pandemie, duhet të përkrahen urgjentisht. Gjithashtu, edhe punëtorët pa kontrata të cilët janë të shumtë në Kosovë pa fajin e tyre. Ata as nuk marrin rroga e as nuk mbulohen me pakon emergjente fiskale”, ka shkruar ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Agim Ademi gjatë ditës së sotme ka vizituar stadiumin…