Kadaj-Bujupi: Pretendimet për AKI-në do të marrin epilog
Pretendimet për veprime joprofesionale dhe joligjore në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë bërë që drejtori i kësaj agjencie, Driton Gashi dhe inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Shkëlzen Sopjani të raportojnë në Komisionin për Mbikëqyrje të AKI-së.
Pas më shumë se tri orë takim, kryetarja e këtij komisioni, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se të gjitha pretendimet do të marrin epilog. “Siç po e shihni takimet tona me zyrtarë të lartë të AKI-së i kemi shumë të shpeshta, madje përtej asaj se siç parashihet me ligj, sepse punën tonë e kemi marrë seriozisht dhe po angazhohemi që të gjitha pretendimet nga e kaluara. Pra, bëhet fjalë për zyrtarë që tani janë në detyrë, por edhe për ish zyrtarë, do të thotë të cilët tani më nuk janë as në AKI dhe as në pozita të larta”.
“Por, megjithatë ekzistojnë pretendime të caktuara se në kohën sa ishin mund të jenë përfshirë në veprime jo profesionale dhe jo ligjore të sqarohen deri në fund në mënyrë që siç e thash të mbrohet institucioni. Pavarësisht emrave dhe mbiemrave të cilët sot janë ose kanë qenë në të kaluarën për neve rëndësia e këtij institucioni është mbi të gjitha dhe angazhimet tona si deputetë do të jenë në favor të kësaj”, ka thënë Kadaj Bujupi.