Kadaj-Bujupi thotë se vota e saj është për rrëzimin e qeverisë
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, në emisionin “DPT Te Fidani” në T7, ka thënë se vota e saj është për rrëzimin e qeverisë, pasi sipas saj, nuk po mundet ta votojë një projektligj për rimëkëmbje ekonomike.
“Ju e dini që unë kam qenë kundër formimit të kësaj qeverie dhe nuk e kam votuar në Kuvend. Gjithashtu, duke pa punën e qeverisë, unë nuk jam e zhgënjyer që nuk i kam votuar. Do ta votoja edhe mocionin e mosbesimit ndaj kësaj qeverie”, është shprehur Kadaj Bujupi në T7.
Ajo ka theksuar se kjo qeveri mund të konsiderohet e rrëzuar pasi nuk po mundet ta kalojë një projektligj, i cili do t’u dilte në ndihmë qytetarëve në këtë kohë pandemie.
Kadaj-Bujupi ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Ajo ka kritikuar punën e kryeministrit Hoti.
“Kjo qeveri nuk mundet ta shtyjë një ligj (për rimëkëmbje ekonomike) dhe lërë më dialogun”, ka thënë Kadaj-Bujupi.