KADARE DHE KOSOVA

23 shkurt 2021 | 11:43

Bedri Islami

13 vjet më parë, pikërisht më 17 shkurt 2008, pasi kisha qenë në kullat e Jasharëve, me të cilët më lidhte një miqësi e vjetër, e një natë më parë kisha bujtur në Drenas, në shtëpinë e Fehmi Lladrovcit, njerëzit që rrinin në mendimin tim si personifikime të lirisë së Kosovës, ecja në rrugët e Prishtinës duke kërkuar një njeri. Ndoshta ai ishte luftëtari më i pazakontë i Kosovës, por ndërkohë ndër më të rëndësishmit. Më frymëzuesi, pa dyshim.
Njerëzit ishin në dalldinë e festës, tupanët binin në një valle të çmendur, rrugët ndienin se nuk e përmbanin dot vërshimin njerëzor që sapo kishte cikur koha minutën e parë të 17 shkurtit, ishin tejmbushur, si të derdhej nëpër to llava e pandalur e furisë së një populli që kishte pritur një ëndërr, e cila, edhe pse dukej tejet e largët, befas, krejt befas, ishte bërë e afërt.
Njeriu që kërkoja ishte nga përçuesit e parë të ëndrrës, bartës dhe ndjellës i saj; i brishtë në pamjen e tij, i vrullshëm dhe marramendës në vizionin e pafund; vullneti i tij i prirë nga mençuria dhe fjala në momentin dhe vendin e duhur, e kishte bërë atë të vetëdijshëm dhe, në të njëjtën kohë, kishte bërë të tjerët të vetëdijesuar, me forcën e pashembullt të talentit, qartësisë dhe mendimit. Për më shumë se një gjysmë shekulli pasioni i pasioneve të tij kishte qenë Kosova; ndjeshmëria e pakufi e kishte bërë trumbetar të së vërtetës, të cilat i kishte shpallur edhe në kohë të vështira, pikërisht atëherë kur heshtja mund të dukej më e arsyeshme. Ai kishte mbetur i revoltuar deri në fund, i papërmbajtur, tronditës në dëshmitë e sakta, gjenial në hetimin e tij të ftohtë dhe i pamëshirshëm ndaj krimit serb në Kosovë, duke shpërndarë reflekset shkëndijuese të së vërtetës.
Dita e Pavarësisë së Kosovës do të ishte e mangët pa atë, njeriun që rastësisht kishte emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail, por që jo rastësisht do të njihet në të gjithë botën si Kadare!
Kërkoja ta takoja Ismail Kadarenë dhe, si ndodh zakonisht në këto raste, përsërisja me vete gjithë fjalët që do të mund t’i thosha në çastin e shkurtër të një bisede që askund tjetër më shumë se në Prishtinë, në sheshet e zhurmshme të saj, ishte në vendin e duhur. Nuk do të kisha mundur të gjeja asnjë mjedis tjetër më të përshtatshëm për të biseduar me të dhe, askush tjetër si ai, nuk kishte bërë vendin e tij në këtë ditë që, e pritur prej qindra viteve, e shumë dëshiruar, fundi i një ankthi të vjetër ballkanik, përmbysje e një kohe dhe fillesë e një kohe tjetër, e kishte pasur kaq të domosdoshme, do të thosha jetike, fjalën e këtij njeriu jugor, që ishte po aq drenicas dhe prizrenas, sa ishte edhe gjirokastrit e parisien.
Nëse bota shqiptare po kthehej përfundimisht drejt ëndrrës rilindase, Perëndimit, pikërisht në thyerjen e natës së 16 shkurtit, duke ardhur e shtatëmbëdhjeta, Kadare kishte qenë përçuesi më i madh i saj, Mjeshtri, duke e ditur se barrë të tilla të mëdha mund të bartin vetëm poetët dhe shkrimtarët e mëdhenj epikë.
Në mëngjesin e 17 shkurtit të vitit 2008 kërkoja Ismail Kadarenë dhe në të njëjtën kohë shihja sheshet e Prishtinës dhe mendoja se në cilin prej tyre, një ditë të ardhshme, do të jetë edhe monumenti i shkrimtarit Kadare.
Isha dhe jam i bindur se një ditë do të jetë aty, mund të gabohem për vendin, ama e përfytyroj që tani dhe askush tjetër nga bota e madhe e letrave shqipe nuk e meriton më shumë se ai.
Sepse mes Kosovës dhe Kadaresë është një lidhje e gjatë, më e gjata në historinë e botës së letrave shqipe dhe, në të njëjtën kohë, më e përkushtuara.
Në tetorin e vitit 1972 Ismail Kadare do të ishte për herë të parë në Kosovë.
Më herët e kishte parë peizazhin e saj nga lart, të ndarë në copëra, që dukej edhe më tej gjysmëtar nga krahët e avionit. Gjithë Rrafshi i Dukagjinit, zbuluar menjëherë pasi avioni kishte kaluar Bjeshkët e Namuna, ishte i pafund, i përthyer, i afërt për secilin bashkëkombës, njëkohësisht më i largët se viset përtej oqeanike; i njohur dhe njëkohësisht enigmë. Ishte viti 1966. Ende gjithçka ishte e ngrirë mes dy shteteve dhe dukej se, që nga përmbytja ballkanike, ky vend, mes reve të rënda, gjëmimeve, në të cilin vetëtimat dukeshin si përshëndetje, që dukej dhe zhdukej i zymtë mes gri-së së rëndë të reve, ishte e do të mbetej edhe më tej molla e sherrit mes dy vendeve.
Kishte pasur një periudhë të dyfishtë qetësie por, si gjithçka tjetër mes dy kombeve të rënë në mëri shekullore, kishte qenë një paqe e rremë, megjithëse herën e parë gjithçka ishte shfaqur si një ndër aktet më të lashta të tragjedive epike e, më pas, si një butafori vrasëse. Herën e parë kur, “Kosova ishte bërë Shqipëri” e herën e dytë, “Kur Shqipëria desh bëhej Jugosllavi”.
Të dyja periudhat kishin qenë të shkurtra, nga katër vjet, jo më shumë, por dallimi kishte qenë ndoshta nga më epokalët. Herën e parë, përmes shkollave, herën e dytë përmes emisarëve politikë. Ndërsa Shqipëria e vjetër kishte dërguar mësuesit e saj më të mirë, prirë, po ashtu, nga një poet i shquar, të cilit rasoja fashiste nuk ia kishte hequr enigmën dhe një brerore të habitshme, Koliqi; herën e dytë gjithçka kishte ardhur përmes emisarëve, që kishin gjithfarë “iç-ësh” pas vetes, por më shumë kamat e dala që në zanafillën e saj nga ajo që njihej si, Fusha e Mëllenjave nga serbët, dhe Kosovë, nga shqiptarët.
Në këtë fushë do të rrinte Kadare në tetorin e vitit 1972, dhe ajo, fusha e dikurshme e përgjakur, tashmë e heshtur, me pak mjegull anash, e ftohtë, si gjithçka në pragun e dimrit, ishte në të njëjtën kohë edhe fillesa e mashtrimit, ngritjes së një historie ndryshe e që, për çudi, monumenti i ngritur në mesin e saj nuk është për fitimtarët, por për të mundurit.
Mes dy popujve kishte pasur gjithnjë ashpërsim, asnjëherë zbutje. Do të jetë vendi ku, edhe një poet i shquar si Azem Shkreli do të thoshte se “ne jemi të huaj këtu, më keq se të huaj. Në sofrën e tyre sllave ne jemi të tepërt”.
Një kumt i ardhur nga larg, ndoshta nga humbëtira e stepave të boshta, kishte sjellë me vete diçka tronditëse dhe, si duket, këtu kishte nisur e Keqja.
Pagjumësia e Shqipërisë ishte në atë Fushë! Imazhet e shenjta të një kombi të lashtë ishin po aty.
Shqiptarët, asnjëherë hakmarrës, i quajnë fqinjë komshitë e tyre serbë. Asnjëherë nuk e kanë ndjenjën e hakmarrjes; miti i tyre nuk është ngritur mbi heronj të rremë e as mbi mbretër të vetëshpallur. Çka, janë, po ashtu, të rremë. Nuk e kanë në gjenin e tyre mëkatin e pafalshëm të gënjeshtrës, mashtrimit; dëshmues të së vërtetës ata nxjerrin nga jugu i vendit të tyre një dëshmues të madh, që është në të njëjtën kohë edhe Luftëtar i Madh, prijës i shqiptarëve drejt Perëndimit përmes fjalës.
Nëse Pjetër Bogdani, një ndër dijetarët më të mëdhenj të kombit, udhëheq kryengritjen e shqiptarëve në shekullin XVII, Ismail Kadare është lideri i fjalës së dëshmisë se një komb që i takon Perëndimit, duhet të jetë përsëri aty dhe se, “Zoti President, populli shqiptar nuk ka bërë asnjë krim ndaj askujt për t’u trajtuar ndryshe nga çdo popull tjetër. Edhe në qoftë se bashkimi i tij paraqet vështirësi, tani për tani për Evropën, askush nuk ka të drejtë që, në mënyrë cinike e provokuese, t’i deklarojë atij se nuk ka të drejtë asnjëherë, as në perspektivë, të gëzojë atë që nuk i mohohet asnjë populli në botë: jetën e lirë, bashkërisht. Aq më pak askush nuk ka të drejtë, që lirinë e tij imediate ta quajë të rrezikshme”. (Ismail Kadare, letër drejtuar presidentit të Francës, Zhak Shirak, Paris, 26 gusht 1998).
Për mendësinë serbe, e jo vetëm për atë, Kosova është diçka tjetër. “Kosova është fjala më e shtrenjtë”, thotë shkrimtari Matija Beqkoviq, ndërsa Vuk Drashkoviq, në një letër të gjatë, drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare, do të shkruajë: “Kjo fushë për shqiptarët është gjeografi, kurse për serbët gurra e kulturës së tyre, epi dhe feja, alfa dhe omega e ekzistencës së tyre”.
12 vjet pas letrës së Drashkoviqit, në Kosovë ka ndodhur mrekullia. E ndërsa shqiptarët pajtohen në vete për të qenë njerëzorët ndaj të mundurve, në anën tjetër gjithçka ndodh ndryshe. Dhe të mundurit, ashtu si në vitin 1389, edhe disa shekuj më pas, pas humbjes, kishin nxituar të shkruanin një histori tjetër, veçse kësaj radhe nuk kishin pasur përballë turmat çallmë laramane të osmanëve, por një strukturë ushtarake, më të fuqishmen e kohës që, për herë të parë, ishin ngritur për të mbrojtur një popull që ishte drejt asgjësimit dhe që do ta provonte gjenocidin.
Nëse nuk u bë masakra e dëshiruar, kjo ka të bëjë me zgjimin e ndërgjegjes së botës, ringritjen e dëshmisë së ndëshkimit të së keqes, rikthimin në kahun e së mbarës të 28 qershorit të vitit 1389 dhe, ndodhi, mrekullia, “Mbi Fushën e Mëllenjave është ngritur Flamuri i Evropës!” (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dy gjeneralë tjerë të lidhur…