Kadare është hapësirë e krijuar për Kosovën

24 shkurt 2021 | 11:57

KADARE DHE KOSOVA (2)

Bedri Islami

Plini plak, në të famshmen “Naturalis Historiae”, sjell dëshminë për një burrë të zakonshëm, Straboni, që kishte një aftësi të jashtëzakonshme. Ky njeri u bë i famshëm sepse duke qëndruar mbi Kepin Limbeu të Sicilisë arrinte të shikonte brigjet e Kartagjenës, rreth 200 kilometra larg dhe sinjalizonte saktësisht lëvizjet e anijeve luftarake që dilnin nga portet kartagjenase për ta sulmuar flotën romake. Të gjithë krahasimet çalojnë, thonë gjermanët, ndoshta edhe krahasimi im është i mangët, pasi Kadare nuk është një burrë i zakonshëm, por njëri nga shkrimtarët më të shquar të shekujve ku jetoi por, si Straboni i Plinit plak, që në gjenezën e saj dalloi krimin serb mbi Kosovë. E bëri këtë si askush tjetër dhe në lartësi ku nuk mund të shkonin të tjerët, ose fjala e tyre nuk kishte të njëjtën mençuri dhe mirëbesim.
Në korrikun e vitit 1989, i ftuar në Elize, për mëngjes, nga presidenti francez Miteran, ndoshta njëri nga kujtimet e çmuara të shkrimtarit, Kadare, pa asnjë ngurrim, është i bindur se duhet thënë e vërteta dhe ky është vendi i duhur, pasi përballë tij është një nga mendjet më iluministe të kohës, evropian i shquar dhe një njeri i ndërgjegjes dhe kulturës botërore, por edhe përfaqësuesi i një kombi që shpeshherë ka mbyllur sytë ndaj krimit serb në gadishullin e vjetër ballkanik.
Është e vështirë të gjesh hapësirën në një bisedë ku, krijimi si dhunti dhe përpjekje, është ftesa e menduar si e tillë dhe, në vend të tyre, t’i sjellësh çështjet e vështira etnike, me ndërlikime të papritura, të cilat mund të prishin, apo të supozohet se mund të prishin, harmoninë e arritur me aq vështirësi e, megjithatë, kjo duhet bërë. Nuk ka asnjë njeri tjetër kombi që mund ta bëjë këtë. Në Shqipërinë londineze ku diktatura është në rrokopujë, pak vetë e kanë mendjen te Kosova, që duket e largët, e beftë dhe përtej mjegullave. Në Kosovë, viti 1989 është ende nën rëndesën e zakonshme të krimit shtetëror serb, që tani bëhet edhe më i rëndë e mizor, pasi është piku i kohës së Millosheviqit dhe lëvizjet e mëdha të shqiptarëve, të filluara që nga viti 1988, do të kenë kulmin e tyre, të cilat do të ndodhin disa muaj më vonë, nëntorin e vitit 1989.
Një nga të vrarët në Kodrën e Diellit, më 2 nëntor 1989, do të jetë lideri kryesor i lëvizjes çlirimtare. Quhej Afrim Zhitia. Një djalë i hequr në fytyrë, me syze, organizator i shkëlqyer, lexues i madh.
Në lëvizjen ilegale ka marrë një emër të dytë. Quhet Ismail. Frymëzuar nga Ismail Kadare do të bartë emrin e tij të luftës deri në ditërënien e tij. Nipit do i vë emrin Dritëro.
Kadare, që nuk besoj ta ketë ditur këtë fakt real, ndoshta deri ditën që në një bisedë të gjatë në Tiranë i fola për Afrim Zhitinë, është ndoshta nga të vetmit, emrin e të cilit në luftë e kishte një ndër heronjtë më të shquar të saj.
Është njeriu i vetëm që, i adhuruar në kombin e tij, është po aq i adhuruar edhe në Francë; i lexuar nga të gjithë, që nga të burgosurit politikë që presin vajtjen e tij mes tyre, deri te presidenti i mençur francez. Kombi i heshtur ka ndërgjegjen e tij, kjo ndërgjegje nxjerr një zë, i cili ka, në të njëjtën kohë, edhe vështrimin e mprehtë. Kush bart këtë vështrim, sheh të vërtetën, atij i nënshtrohet e drejta për ta shpallur atë.
– Sado që një gjë e tillë tingëllon mesjetare dhe e kapërcyer nga koha, më besoni, Zoti President, se në Gadishullin Ballkanik mesjeta është ende e pranishme. Unë ju lutem që ta vlerësoni këtë paralajmërim, këtë klithmë për ndihmë, përpara se tragjedia të ndodhë dhe përpara se të jetë vonë.
Dhjetë vjet më vonë tragjedia ndodh. Ajo do të kishte qenë më katastrofike, nëse nuk do të kishte qenë zëri i një njeriu që, shumë kohë më përpara, ka guximin dhe burrërinë, jo vetëm të hulumtojë, por edhe të shpallë atë që botës i dukej e largët, e mistershme dhe e pabesueshme.
Është viti 1989. I njëjti kur, me mikun e tij, laureatin e çmimit Nobel të Paqes, Elia Weisel, i shkruan presidentit amerikan Georg Bush, kur diktatura ishte ende në këmbë dhe, dihej nga të gjithë se, binaja e madhe në të shembur e ka rrezikun dhe ai vetë, nëse do të dihej ky letërshkrim, do të ishte nën pluhurin e gërmadhës, apo edhe më tej, i dënuar me vdekje. Ai e ndien për detyrë t’i shkruajë presidentit të shtetit më të fuqishëm të botës, përsëri në shtatorin e vitit 1991, duke bërë paralajmërimin tragjik. “Dhurata që iu bë terroristëve serbë…, duke iu dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë”.

No description available.I pamat është pasioni i Kadaresë për Kosovën. Ai e ka dashur atë në të gjitha stinët e jetës së tij, shumë më tepër nga çka mund të merret me mend. Është një dashuri pasionante mes poetit numër një të kombit dhe vuajtjes më të madhe të tij. Rrallëherë është ndeshur një përkushtim i tillë, deri në vetëvuajtje: në çështjen e Kosovës ai është më vizionar se të gjithë artistët, të gjithë njerëzit e politikës, në të gjithë trojet shqipfolëse; ai e ndien deri thellë në veten e tij vuajtjen e saj, e përkëdhel atë, e rrok, e dëshmon, përgjërohet, ndien ngashërim, rri i pagjumë, shkruan, dërgon mesazhet e tij kudo ku mund të jetë i pranishëm dhe është i pranishëm kudo; shqetësohet për krenarinë e bosht shqiptare, por edhe përcakton saktësisht atë çfarë po ndodh në Kosovë; ai saktëson ngjarjet e vitit 1981 më qartë se secili prej nesh, i sjell tronditshëm në dy romanet e tij, një nga të cilët “Krushqit janë të ngrirë”, tronditi të gjithë piramidën e shtetit ku jetonte, edhe më përtej saj, tërmetoi, nëse kjo është fjala e duhur, një botë tjetër, atë të shtypjes, nxori nga kafazet e pista gjëmën e kolegëve shkrimtarë, të cilët e akuzuan rreptë, duke e ndier më shumë se kushdo tjetër se ai, pikërisht ai, shkrimtari i namun, si Bjeshkët e Veriut, do të ishte në të njëjtën kohë gjëma e tyre, piskama e krimit që kishte ndodhur dhe po ndodhte.
Kadare është hapësirë e krijuar për Kosovën. Hapësirë, vende-vende si rrafshulëtat e saj dhe më së shumti si rrafshlartat e Kosovës. Tek ai njeriu gjen fushën e Dukagjinit dhe bjeshkët e Sharrit, përdëllimin e ndjenjës ndaj asaj pjese të kombit, në skajin tjetër, që vuan, përpëlitet, gjakoset, shtypet, ngrihet përsëri, trazohet shpreson, ëndërron, ndien se si i përgjaket ëndrra dhe kërkon një dishepull të lirisë, ama një dishepull të madh dhe e gjen këtë te Kadare.
Ai i përkëdhel plagët kur duhet, por edhe i zbulon ato, me qartëpamësi të habitshme, që vjen nga një thirrje e brendshme, e furishme, e paepur dhe, duke qenë më i përkryeri nga rrëfimtarët tanë dhe një nga më të mrekullueshmit e botës, ai është edhe më reali.
Kur një herë, në një ndjenjë në Tiranë, po i tregoja se sa me ankth dhe, në të njëjtën kohë, me ngazëllim priteshin deklaratat e tij në ditët e luftës në Kosovë dhe se, asgjë tjetër, asnjë deklaratë zyrtarësh, politikanësh, qeveritarësh të lartë nuk pritej dhe nuk kishte ndikim si fala e tij, ai më tha se askush nuk i kishte thënë se duhej të vepronte ashtu, gjithçka i kishte ardhur nga brenda, kishte qenë shtysa e tij, vetëdija, bindja, rruga që kishte zgjedhur, meraku i madh dhe dëshira për të qenë sa më i pranishëm.
Ai, për Kosovën, ka ngritur një konstruksion të mahnitshëm me gjerësi dhe gjithanshmëri të pazakontë; për këtë ai nuk ka thirrur në ndihmë asgjë tjetër, veçse përjetimit të tij, njohjes së thellë të shpirtit të popullit të tij dhe dëshmitë e brezave ballkanikë: është i paanshëm, ndaj i besuar; frymëdhënës, ndaj jetësor; i shpejtë, do të thotë në kohën e duhur; i përpiktë, sepse është gjenial; tokësor, sepse e ndien dhimbjen; i pazakontë, pasi përcaktimet e tij i takojnë së ardhmes.
Në kohën kur i gjithë arsenali medial e politik i shtetit serb e quan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës një aksiomë terroriste me theks islamik, dhe jo rrallë gjen vend edhe në median e Kosovës, e shtrydhur nga shitja; dhe kur media në Shqipëri, më tepër ironizon sesa e kupton luftën, ai, Kadare, bën dy përcaktime të sakta, frymëdhënëse dhe ushtuese edhe përtej shtetit shqiptar. “Kur një popull ndodhet në gjendjen e një grigje të pambrojtur përballë ujkut, ëndrra e tij më sublime është shfaqja e një shpëtimtari e një dalzotësi. Kur populli i Kosovës u gjend kështu, grigjë e pambrojtur përpara kasapit serb, UÇK-ja u bë dalzotëse e saj… Askush s’mund t’ia heqë dot kurrë asaj emrin e madh dalzotës”.
Vetëm ata që kanë qenë pjesë e luftës e dinë se sa përcaktuese ishin prononcimet e Kadaresë në një kohë të tillë dhe, njëkohësisht, sa frymëzuese.
Pikërisht ato ditë, përcaktimi i Kadaresë ishte më i vyer se qindra deklarata politike të selive në Tiranë a Kosovë.
Kadare merr mbi vete rolin dhe misionin e artistëve të mëdhenj të kombeve që synonin lirinë, si të Shilerit, Gëtes, Bernsit; ai vringëllon me nervin e tij të furishëm në shkrimet e tij si Dostojevski; bën analizën e milimetruar të ngjarjeve dhe personazheve si Balzaku; zbret në ferrin e krimit terrorist serb si Dante; ai është në luftë pa qenë në front, ngjall kuptimin e lirisë si Pëtef, sjell tragjeditë si në skenat shekspiriane; pra është një nga si vëllezërit e tij, pararendës të lirisë.
Ai ndërton për Kosovën kufijtë e artit të tij, që nuk janë arritur deri më tani nga askush tjetër nga përsosmëria e shprehjes, tragjizmi i jetuar dhe, nëse ka një njeri që nuk tronditet nga vrasja e Gërvalljave, paraqitur madhërishëm në romanin e tij kronikë, atëherë ai nuk do të mund të kuptojë kurrë të vërtetën e asaj që ka ndodhur.
Prania e Kadaresë ngjall alram në shtetin serb, në piramidën e tij, në të gjithë atë sistem zinxhiror strukturash ku krimi projektohet të paraqitet si mirësi, ku gjaku nuk ka ngjyrën e kuqe, dhe shteti i thërret në ndihmë të gjithë kundër Kadaresë.
Kadare është memorja. Kjo memore duhet zhdukur!
Kadare është dëshmia e besueshme. Kjo dëshmi duhet djegur!
Kadare është e vërteta dhe e bukura. Këto duhen nxirë!
Vuk Drashkoviq, më i njohuri prej tyre, shkrimtar e politikan, do t’i shkruante Ismail Kadaresë më 18 qershor 1987: “Ju shpesh deklaroni, se ngjyra e kuqe e flamurit shqiptar simbolizon gjakun që pandërprerë duhet të derdhet për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, kurse ngjyra e zezë shënon zinë për heronjtë, të cilët do të flijojnë jetën për këtë qëllim të shenjtë”.
Interesant është se edhe një studiues shqiptar, Sabri Hamiti, megjithëse e di krejt mirë se shkrimtari Kadare ka botuar më shumë se 1 000 faqe për Kosovën, në disa gjuhë të botës, se romani i tij “Krushqit janë të ngrirë” është tronditës për qeverinë serbe, sa që detyrohet të nxjerrë Drashkoviqin e të dërgojë letra e artikuj kudo për të denigruar të vërtetën, ai, Hamiti, bashkohet me këtë zë të Vukës dhe e cilëson
“një roman pa vlerë”.
E pabesueshme për filozofët, shkrimtarët dhe politikanët serbë, por Kadare nuk është nacionalist. Asnjë dell nacionalizmi nuk ka në veprën e tij. Asnjëherë ai nuk merr pozën e një nacionalisti dhe nuk kërkon shtizë për flamurin e tij të urtësisë.
Kadare është një njeri i letrave, për të cilin nuk janë të panjohura raportet e tmerreve të rrokshme me ato të përfytyrimit; tek i cili ndjenja për kombin e tij nuk kalon nëpër gardhet e prishura të kombeve të tjerë; adhurues i gjuhës së tij, ai bën vend për lartësimin e vlerave njerëzore; e keqja e trondit, por nuk e zmbraps; nuk ndjell kore fantazmash, por si në tragjeditë e lashta greke e vërteta ka zënë vendin e korit dëshmues; thelbi i fjalës së tij është Kosova në hallet e saj dhe pamundësinë e njerëzores nga një shtet çnjerëzor, por kurrë denigrimi i atij tjetrit, kushdo të jetë; mbrojtës i vlerave sipërore, ai nuk bie në batakun e përbuzjes dhe të urrejtjes, ndaj është më i besuar në kancelaritë e larta të botës më shumë se kolegët e tij serbë; ai nuk blen mashtrimin dhe nuk e shet të vërtetën – kjo përbën rrënjën e një shkrimtari serioz, hijerëndë, qartësisht largpamës.
Viti 1980 do të jetë në Kosovë viti i Kadaresë. Sapo është botuar korpusi i Veprave të tij në dhjetë vëllime dhe, i ftuar nga Azem Shkreli, poeti i shquar, që i kishte kushtuar Kadaresë poezinë e tij magjike “Përshëndetje me miq”,
Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës,
Kudo e ngado është juaja, pos mohit, por orës së prapë,
Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se
Të ju zbukuroj në Baladë, o mik, me se, o dega ime e epërt e Fisit….
Ju falem që jeni, o të mirë, ju falem që jeni, jo falem,
Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gana u bë vendi i parë në botë që mori…