Kadare flet pas dekorimit nga Macronit: Kosova është Shqipëri, një ditë kjo trevë do të marrë emrin e vjetër të saj
Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka folur për herë të parë pas dekorimit nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në një intervistë për “Report Tv”, mbajtjen e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, e ka cilësuar një ngjarje që ndikon pozitivisht në imazhin e vendit. Si zëri i Kosovës në ditët më të vështira tregon mendimin dhe ëndrrën e tij për të ardhmen e saj dhe të shqiptarisë.
Ndjesitë për vlerësimin, Kadare ka preferuar gjatë këtyre ditëve t’i kursejë siç ka thënë “për të mos shtuar zhurmnajën e madhe”, por ka bërë një koment kur Macroni edhe për kufizimet e kapërcyera në diktaturë, përmes letërsisë e konsideron si “Lajmëtar të lirisë”. “Unë kam qenë gjithmonë lajmëtari i lirisë, çdo shkrimtar i njohur, i ndershëm është i tillë”, është shprehur Kadare.
Ndërsa mbajtjen e samitit të Procesit të Berlinit në Shqipëri, shkrimtari e ka shikuar me optimizëm. “Mendoj se është një ngjarje shumë pozitive për imazhin e Shqipërisë”, ka thënë Kadare.
Në këtë ngjarje ku Shqipëria, si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, synojnë mbështetjen për integrimin në Bashkimin Evropian, dhënia e mesazheve përmes artit dhe vendosja e personaliteteve të kulturës në “vijë të parë” të pritjes së madhe, sipas shkrimtarit ndikon për mirë. “Çdo gjë që hedh dritë mbi Shqipërinë, që shpërndan mjegullën, errësirën, keqkuptimet është pozitive”, ka thënë ai.
Si një nga figurat që ka ngritur çështjen e Kosovës gjatë luftës së UÇK-së, tek strukturat më të larta, ku lobonte për lirinë e saj tek Papa Gjon Pali II, deri edhe tek presidenti i Francës i kohës, Zhak Shirak në vitin 1998, Kadarenë e shqetësojnë konfliktet që trazojnë lirinë e saj. “Mendimi im është ai mendim logjik i të gjithë njerëzve që e duan vendin e tyre. Uroj lirinë e plotë për Kosovën së shpejti. Kosova është Shqipëri dhe një ditë e gjithë kjo trevë do të marrë emrin e vjetër të saj”, ka thënë shkrimtari Kadare.