Kadare, një shkrimtar që bën çmos për ta mbrojtur Kosovën dhe çështjen e saj
KADARE DHE KOSOVA (3)
Bedri Islami
Pak muaj më pas ndodh një nga ngjarjet përcaktuese të historisë së kombit, demonstratat e marsit dhe të prillit 1981, të cilat që në fillimin e herës do të përcaktoheshin nga shkrimtari Kadare, ashtu si nuk ishin cilësuar ende nga institucionet e shtetit: “kryengritje”.
Në memorien e shkrimtarit ka mbetur gjithçka që ka lidhje me Kosovën dhe, pas shumë viteve, pra që atëherë, kur “bota lis kishte ndërruar”, ndodh në Shqipëri ajo që kishte qenë e zakonshme dikur: Ajo nuk është thjesht hapësirë gjeografike apo rezervat i disa poetëve nga Kosova, ku shquhen Agim Gjakova dhe Adem Istrefi, por realitet, diçka që duhet takuar, edhe në letërsi.
Koha e “Poemit kosovar” të Kutelit ishte e largët dhe, befasisht, do të bëhet e huaj për sistemin e, po ashtu, heshtja ndaj Lasgushit përmbyll edhe mallin dhe veneracionin e tij për Kosovën.
Befas flitet se Kadare ka shkruar dhe dërguar për botim një roman të tjetërllojshëm: ai ka në themelin e tij ngjarjet e vitit 1981, të cilat sapo kanë ikur e, si ndodh në historitë që ende janë përvëluese si llavat vullkanore, është edhe tabu.
Si gjithnjë, pararendëse është një poezi. “Terrori në Kosovë”. Ende nuk janë numëruar të vrarët dhe nuk dihet fati i të burgosurve politikë. Viti 1981 është në vjeshtën e tij. Kosova është nën ankthin e të nesërmes dhe të gjakut të derdhur. Mijëra e mijëra rreshta gazetash janë shkruar, denoncime, deklarata politike, apele intelektualësh, mbledhje të zgjatura në shtetin amë, dhe mes tyre një poezi tetëstrofëshe, 32 rreshta, pikërisht kur gjithçka ishte nën mjegullën e të nesërmes, kur ende enigma ishte mbi kryengritjen dhe korbët silleshin nën mantele prokurorësh, gjykatësish, denoncuesish, hetues të panumërt, kjo poezi.
Gjithçka që ka ndodhur është aty, terrori, dënimet e gjata, burgjet e rënda, njerëz me pranga, mesjeta e rikthyer në pragun e ndërrimit të një shekulli dhe mijëvjeçari, fantazmat e dala nga koha e Dushanëve, tanket në rrugë, nata e Prishtinës e kthyer në një natë Shën Bartolomeu, masakra e planifikuar deri në detaje, mallkimet e një trupe politike dhe mes tyre, britmë dhe shpresë, ata, që viganë dhe fisnikë, me korrektesë dhe madhështi, ngrihen për të bërë Republikën e tyre dhe që, mjerisht grihen si një mesjetën e monarkëve mizorë. Ka nisur filli i një historie ndryshe, që ka zanafillë, por edhe që do i vlerësojë kryengritësit, të cilët, pasi u ngritën si monument, prekën historinë dhe u bënë vetë pjesë e saj.
Përcaktimi i fundit, bërë në vjeshtën e vitit 1981, është më i sakti që mund të jetë bërë. Ndjenja e furishme dhe e ngultë e shkrimtarit e ka dërguar drejt këtij përcaktimi, që i qëndroi kohës.
Por, nëse poezia ishte “pëllumbi” i parë i Noas – duhej një dëshmi tjetër, më solide, më e gjerë, pakrahasimisht më epokale, dhe vjen romani i njohur.
“Krushqit janë të ngrirë”, është titulli i romanit më të ri dhe gjithçka është thënë në këtë titull. Ashtu si stalaktikat në shpellat e Kosovës, të ngrira, të heshtura dhe misterioze, ashtu janë edhe ndërlidhjet, mëria dhe hutimi mes dy popujve, njëri nga të cilët, sipas Agim Gjakovës “fle e nuk e di a do të zgjohet, zgjohet dhe nuk e di në do të fle”, apo, sipas Azem Shkrelit “Sa herë i vumë vetes, nekrolog mbi krye”.
Ndërsa tjetri, tashmë kur fjalët janë mundur, nxjerr një Ristiç, për dreq edhe Dushan, çka të kujton dashakeqësin e Shqipërinë, Dushan Mugoshën, që, vrullshëm, rrëmbyeshëm deklaron se “Kurrë farë librash nuk na duhen nga Shqipëria”.
Kadare ka prekur gjithçka me dorën e tij: jo kryengritjen, por atë përkatësi të habitshme që ndjell ndodhitë e mëpasshme; ai është pjesë e asaj elite kulturore shqiptare, e cila, si shkruan Vuk Drashkoviç, në polemikën me Kadarenë “Flamujt tuaj kanë vërshuar nëpër Kosovën”, dhe se, në fakt, më shumë se gjithçka është edhe një përballje mes territ, nga njëra anë, dhe kërkimit të dritës,nga ana tjetër, e cila, edhe pse e largët e më pas, e furishme, mund të jetë e vetmja mundësi për të qenë vetëdija e kombit.
Kur e kam rilexuar romanin, gjithnjë me mendimin se tashmë edhe rileximi, veç dëshirës së kamotshme, nuk do të mund të shtonte diçka tjetër, përsëri jam ndjerë i befasuar, mes të tjerave edhe për një rastësi të veçantë.
Në romanin e Kadaresë personazhi kryesor është Teuta Shkreli dhe bashkëshorti i saj shkrimtar, Martin Shkreli. Në memorien e shkrimtarit, në fakt të jetësuar, janë dy miq të tij, mjekja kirurge Sahadete dhe poeti Esat Mekuli.
Në vorbullën e pafund të ngjarjeve të vitit 1981, të cilat do të përsëriten edhe në vitet e mëpasshme, sidomos 1988 dhe 1989, me 21 të vrarë nga policia serbe, të parathëna në romanin e Kadaresë, pra, ata ec e jaket e netëve të fundmarsit dhe fillim prillit, burgosjet, ditët e netët e diferencimit, të cilat për një komb të lidhur me Fisin dhe Familjen janë të ububushme, pyetjet që sëmbojnë jo vetëm shpirtin, por krijojnë klimën e ndarjes, të gjitha janë aty, të detajuara, solide, përçuese, si në një kor antik të tragjedive të vjetra, apo, si gjëmë e bjeshkëve të Veriut.
Më pas, kur jam njohur nga afër me pranveruesit e vitit 1981 dhe dëgjoja rrëfimet e tyre, besimin që kishin pasur se shteti amë nuk do i braktiste kurrë, sido që të ishte ai, monarki apo republikë, më trokisnin te unë vargjet e Kadaresë, për ata që kërkuan republikë dhe u vranë si në monarki, pasi hijet e knjazëve dhe kralëve ishin ende në vetëdijen e një populli që, edhe pse shpesh herë i mundur, nuk kishte ditur të mësonte nga historia dhe që, padija e madhe do i kthehej në fundin e shekullit, në tragjedi.
Njeriu që ua kishte thënë këtë, jo me mburrjen tipike ballkanase, por mjeshtërisht dhe herë-herë duke vuajtur shpirtërisht për moskuptimin e madh që kishte derdhur gjak të parrëfyeshëm, do të jetë shkrimtari Kadare, i cili nga shqiptarët thuajse ishte shenjtëruar, ndërsa nga serbët pasi ishte krahasuar me Hitlerin – cilën armatë kishte nën urdhrat e tij Kadare, pasi ishte kërkuar linçimi i tij, më parë se i Enver Hoxhës, pasi ishte akuzuar zyrtarisht dhe kudo që kishin mundur të depërtonin, si nacionalist i çartur, ëndërrues i Shqipërisë së Madhe, se nuk ishte asgjë tjetër, veçse përçuesi fantast i një populli që kishte qenë mbrojtësi më i madh i sundimit osman, pra, pasi e kishin nëmur në të gjitha format e mënyrat, që nga disfata e qershorit 1389 e deri tek bombardimet e NATO-s, pra, kur po mendonin se i kishin larë hesapet me të, pikërisht asaj kohe e kishin kuptuar se ishte e pamundur të vritej e vërteta, duke sulmuar lajmësin e saj.
Mjafton vetëm të kthehesh te romani “Krushqit janë të ngrirë” dhe të vendosësh përballë vetes si në përballimet e mëdha, qetësinë dhe dinjitetin e mjekes Teuta Shkreli, përballë një lukunie që etshëm, zvarritshëm dhe dhunisht në të njëjtën kohë, kërkojnë e kërkojnë të zhbëjnë një popull, tashmë jo vetëm përmes burgosjeve, megjithëse në katër dekada e gjysmë rreth 400 mijë vetë do të jenë të burgosur politik e do të hapen më shumë se 45 mijë varre të reja plumbi, torture apo mbytje në mesnatë, por edhe përmes linçimit tjetër, ndarjes brenda vetes, spiunimit masiv, krijimit të psikozës vrasëse se, ja, pas gardhit do të jetë fqinji yt, do të vijë pas darkës një mik apo një djalë i fisit dhe ai, mos o Zot!, është i lidhur me pushtetin. Kamat e dikurshme janë rimarrë nga arkivat dhe tanket kanë zaptuar rrugët, e përsëri, një kirurge, bijë, grua, nënë dhe motër rrezaton qetësinë dhe e gjithë kjo është fat për së mbari të njërit popull ndaj një mizorie pa kuptim, urrejtje të tërbuar dhe të verbër, që ka zënë vend deri te akademikët e njohur serbë, të cilët, edhe pse ditën quhen humanistë dhe evropianë, natën përgatitin planet makabre për zhdukjen e shqiptarëve, të cilët përbuzshëm i quajnë shiftari.
Dhe kur të gjitha këto nuk i mjaftojnë, pra pasi e kanë krahasuar me gjithçka të mbrapshtë që ka ndodhur, me socialnacionalistë gjermanë, pasi e kanë shpallur si bartës i idesë së Shqipërisë së madhe dhe përçues të urrejtjes, fantast, nacionalist dhe irredentist, pasi ia kanë përmendur “fiset shqiptare”, si përfaqësues i një populli primitiv, pra, pasi kanë namun e mallkuar gjithçka, kudo që kanë mundur, që nga fletushkat e panjohura dhe deri tek “Le Mond diplomatic”, pasi kanë vënë në lëvizje një brezni shkrimtarësh, disa shkretanë e ndonjë i njohur, dhe e kanë parë se asgjë nuk ka ndryshuar, jo vetëm tek pikëpamjet e autorit për ngjarjet dhe të vërtetën ndaj tyre, por nuk ka ndryshuar as qëndrimi i Perëndimit ndaj shkrimtarit, çka i tremb vazhdimisht, bëjnë gjetjen e fundit dhe e hedhin në pazarin e medias dhe të politikës, duke e quajtur Kadarenë si oborrtar i sistemit tiranik në Shqipëri, e pra, edhe i pabesueshëm. Mendojnë se shashka e fundit ngjiz më shumë në Perëndim, në rrethet politike e botën letrare të tij, duke pritur me padurim që perëndimi ta bëjë “hasha”, ta linçojë, ta nxjerrë jashtë gardhit, ose, ta gardhëzojë krijimtarinë e tij, ta heshtojë atë. Dhe dihet që mosbesimi i parë nis nga enigma e së të kaluarës. Çuditërisht, por jo rastësisht, me këtë kor të dirigjuar shtriganësh, që edhe Gjergj Kastriotin e sllavizojnë dhe e quajnë Gjuro, pra me nënë serbe, që nxisin dhe financojnë botues kosovarë “modernë” të shkruajnë e botojnë libra kundër Skënderbeut dhe thurin Epikën e popullit serb, pra, me këto shtriganë, përballë të cilëve vetmia e shtrigave makbethiane duket e varfër dhe pa imagjinatë fatthënëse, bashkohet edhe një krijues shqiptar.
Askush nuk e di pse ka gjithë këtë mllef ndaj si vëllait të tij, që, po ashtu si shkrimtarët nacionalistë serbë, e quan “oborrtar” dhe mobilizon një zyrë shtypi për të shkruar kundër shkrimtarit të njohur. Nuk e zgjodha rastësisht fjalën “mobilizon”, sepse gjithçka e ngritur prej tij i ngjan një kazerme ushtarake.
Askush nuk e di pse Sabri Hamiti ngjesh shpatën kundër shkrimtarit të shquar, pikërisht në kulmin e debatit, për më tepër në një kohë kur dhjetëra fantaztë serbë, grumbulluar rreth një Instituti, duan të thyejnë domosdo mitin Kadare të lidhur me Kosovën.
I njohur më shumë si kritik letrar, ai që tani është gjysmë i harruar nga grigja e përbashkët krijuese dhe, po të mos kishte qenë njeri i politikës dhe i lidhur me Rugovën, përmes krushqisë, do të ishte edhe më tej i harruar.
Ai nuk e sjell ndër mend se shkrimtari që sulmon, njëjtë si miqtë e tij në shtetin serb, është pikërisht ai që ka ndërhyrë në njërën nga shtëpitë botuese më serioze të Francës për të bërë përkthimin e botimin dinjitoz të Veprës së Rugovës mbi Bogdanin, e, për më tepër, ka bërë edhe parathënien e librit me intervista të doktor Rugovës, ku shpalos virtytet e një populli që, përmes Buzukut, Budit e Bogdanit u bë Populli i Librit!
Është i natyrshëm revoltimi i Kadaresë, pasi nuk është prekur aftësia e tij si krijues; për këtë nuk ka pasur kurrë merak, por është synuar të shkelet ëndrra e tij për Kosovën e mosvarme dhe të lirë. Ai vetë, Kadare, është një shkrimtar, i cili bën çmos për të mbrojtur Kosovën dhe çështjen e saj, kur befasisht sulmohet nga një klan dhe një zyrë e Kosovës. Çfarë është ky sulm përvers, pyet shkrimtari? Nga cili shkak vjen? “Unë jam qenie njerëzore dhe është normale të revoltohem nga e keqja. Ata që nuk e kanë këtë cilësi, mendoj se janë të gjymtë. Mosrevoltimi nga e keqja, pranimi i fyerjes, i robërimit bëjnë pjesë në psikikën e skllavit”.
Le të kthehemi te “Krushqit janë të ngrirë”, përkthimi i të cilit tejet mjeshtërisht nga Robert Elsie, në Shtetet e Bashkuara, në gjuhën angleze, sipas origjinalit të parë, është ndër më të arrirët.
Teuta Shkreli, për shumë kohë ka qenë tek unë, e jo vetëm tek unë, përfytyrimi i njeriut të ditur, të lidhur fort me Kosovën, me qetësinë karakteristike të grave shqiptare në Kosovë dhe virtytin e heshtjes.
Kur filloi Lufta e Kosovës unë njoha një mjeke tjetër, kirurge edhe ajo, e furishme dhe pjesë e lëvizjes çlirimtare, e burgosur politike dhe nga një familje e njohur gjakovare.
Quhet Teuta Hadri. Mbesa e historianit të shquar Ali Hadrit.
Teuta Hadri ka shkuar një libër të mrekullueshëm, në dy vëllime “Krimi që pashë me sytë e mi”, ditari i saj i luftës, që nga dita e parë dhe deri në çastin e fundit të saj. Është një libër i mrekullueshëm. Si kam shkruar, së bashku me librin monumental “Mashtrimi i Madh” të politologut të shquar Bardhyl Mahmuti, janë ndër dëshmitë më autentike të krimit, para, gjatë e pas luftës. (Vijon)