Kadare: Shekspiri më errësoi çdo letërsi tjetër
Mua më ka pëlqyer letërsia dramatike, për arsye që një lexuesi, një kritiku, një studiuesi, një akademiku, mund t’i duken mjaft banale. Është njëlloj si të habitesh pse fëmijëve u pëlqejnë tmerret, ndonjëherë. Fëmija, sa është natyrë e padjallëzuar, e pastër, aq më shumë do të shikojë tmerre, gjëra të frikshme, të kundërta. Edhe mua, kur isha fëmijë, më tërhiqnin shumë fantazmat, pak a shumë edhe shtëpia ku banoja ishte e tillë, në Gjirokastër, që ma nxiste këtë përfytyrim. Ma nxiste këtë përfytyrimin e frikshëm dhe po këtë çudi ma nxiti edhe një shkrimtar, të cilin, unë nuk e kuptoja çfarë ishte. Ai quhej Shekspir, nga Anglia, i përkthyer dhe u mahnita që libri titullohej “Makbeth”. Sigurisht, e shfletova në fillim, pastaj e shfletova edhe një herë me kujdes, e lexova një më një, nuk e kuptova thelbin e tij, s’mund ta kuptoja se ishte vepër shumë e thellë. Por, ama, u kënaqa shumë që atje kishte magjistrica, fantazma që uleshin në tryezë, që vinin e iknin. Më pëlqente çdo gjë e këtij libri dhe m’i errësoi të gjithë librat e tjerë. Shekspiri më errësoi çdo letërsi tjetër, edhe atë greke. Shekspiri ishte kaq i ashpër dhe dramatik, impresionant. Homeri më pëlqente, por, normalisht, ashtu si edhe të tjerëve. Kjo ishte diçka e mirë se më mbajti në ekuilibër, që të mos degradonte fantazia ime vetëm për tmerre. Për çudi, ai që më ekuilibroi vërtet, ishte Servantesi, me “Don Kishotin”. Nëse në veprën time ndihet humori, këtë e kam nga “Don Kishoti”. (Nga një intervistë në shtypin koreano-jugor)/Hejza