Kadri Veseli kërkoi lirim të përkohshëm, trupi gjykues nuk e shqyrtoi kërkesën

18 prill 2025 | 15:52

Në prag të përfundimit të paraqitjes së provave nga ana e Prokurorisë, Kadri Veseli kishte kërkuar lirim të përkohshëm në Kosovë. Mirëpo, kjo kërkesë ishte kundërshtuar nga pala kundërshtare , ndërsa trupi gjykues nuk e kishte shqyrtuar fare.

Sipas vendimit për vazhdimin e paraburgimit ndaj Veselit, të datës 11 prill 2025, rezulton se kërkesa për lirim ishte dorëzuar më 3 prill 2025. Mbrojtja kishte argumentuar se përfundimi i paraqitjes së provave nga Prokuroria justifikonte lirimin e përkohshëm të Veselit. Megjithatë, duke qenë se në atë kohë Prokuroria ende nuk e kishte përfunduar zyrtarisht paraqitjen e çështjes së saj, trupi gjykues vendosi të mos e trajtojë këtë kërkesë.

“Trupi Gjykues vëren se në Kërkesën për Lirim të Përkohshëm, mbrojtja e Veselit pohon, ndër të tjera, se përfundimi i paraqitjes së çështjes nga ZPS përbën një ndryshim material në rrethana që arsyeton lirimin e përkohshëm të z. Veseli. Meqë ZPS ende nuk e ka përfunduar zyrtarisht paraqitjen e çështjes së saj dhe meqë afatet kohore për paraqitjen e përgjigjeve dhe replikave sipas Rregullës 76 nuk kanë skaduar ende, trupi nuk do të trajtojë Kërkesën për Lirim të Përkohshëm në këtë vendim”, thuhet në vendim.

Për Veselin, trupi gjykues vlerëson se ai vazhdon të paraqesë rrezik për arratisje, duke marrë parasysh seriozitetin e akuzave të konfirmuara kundër tij, mundësinë e një dënimi të gjatë dhe provat që pritet të paraqiten lidhur me këto krime. Megjithatë, trupi gjykues është i mendimit se nuk ka mjaftueshëm argumente për të vërtetuar se Veseli do të arratisej.

Ndryshe, një kërkesë e tillë nuk ishte paraqitur nga Hashim Thaçi. Pas vendimit për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit, Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e kësaj mase edhe për Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thirrja e partive politike për një takim konsultativ dhe më…