“Kadri Zeka” akreditohet për periudhën pesëvjeçare
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është ri-akredituar në nivel institucional për periudhën pesëvjeçare.
Ky vendim është marrë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë në mbledhjen e 122-të, të mbajtur më datë 22 prill 2024.
“Rektori i Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili ka qenë bartësi kryesor i gjithë këtij procesi, duke uruar dhe falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në procesin e riakreditimit institucional, ka thënë se do të vazhdoj të përmbushë misionin e tij për ofrimin e një arsimi cilësor dhe inovativ, duke siguruar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e njohurive dhe aftësive të studentëve të UKZ-së”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se pas “akreditimit institucional, Universiteti Publik ‘Kadri Zeka’ në Gjilan është në pritje edhe të vendimeve të tjera nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për riakreditimin e programeve aktuale, si dhe akreditimin e programeve të reja, me gjithsej 7 programe në proces të riakreditimit dhe 2 programe në akreditim, duke përfshirë edhe një Njësi të re Akademike – Fakultetin e Shkencave Sociale, me programin e studimit ‘Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane’, si program Bachelor”.
“Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti. Për ri-akreditimin e UKZ-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, nivelin e studentëve, të diplomuarit/alumnit, punëdhënësit si dhe hisedarët e jashtëm”.