KADRI ZEKA IDEOLOG I BASHKIMIT TË DIASPORËS SHQIPTARE
Ismet Sylejmani
E dashur familje e Heroit të Kombit Kadri Zeka!
I nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni!
E nderuara Ministre e Drejtësise znj. Albulena Haxhiu!
I nderuar Udhëheqës i popullit shqiptar nga Maqedonia e Veriut Ali Ahmeti!
I nderuar Kryetar i Parlamentit e Kryeminister i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi!
I nderuar ish- Kryeminister Ramush Haradinaj!
Te nderuar deputet e ish -deputet të parlamentit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Presheves!
I nderuar Zv. Minister i Mbrojtjes Shemsi Syla!
I nderuar ish- Komandant i Zonës Ahmet Isufi!
Të dashura familje të Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit!
Të dashur invalid, të nderuar ish – të burgosur politik, veprimtar të Lëvizjes Popullore të Kosovës, veteran ushtar e veteran komandant të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Të nderuar të pranishëm!
Qyteti i Gjilanit sot, më 17 Janar 2024, me vendosjen edhe të shtatit të derdhur në bronz të Heroit të Kombit Kadri Zeka, përfundimisht po bëhet edhe më i shtrenjtë dhe më i shenjtë për kombin!
Udhëheqësi i lavdishëm, organizatori i guximshëm trim dhe sypatrembur, luani historik i diasporës besnike shqiptare, Anëtari i Komitetit Drejtues të GMLK-së, njëri prej Redaktorëve e Kryeredaktorëve të gazetës së famshme ilegale politiko-patriotike “LIRIA”, njëri prej hartuesve kryesor të Tezave Rreth Frontit Popullor, Ai që iu vërsul pamshirshëm propagnadës jugosllave në perendim dhe e shpartalloi, Heroi i Kombit Kadri Zeka, sot po vendoset vertikalisht i derdhur në bronz në qytetin e Tij të pjekurisë së madhe politike dhe të ngritjes së hovshme e revolucionare në Gjilanin e papmposhtur, qytet ky i cili kurrë nëpër histori nuk u përkul, por qëndroi si një nga qytetet më të mëdha të Kosovës, që i dha gjithëçka popullit dhe renditet në mesin e Kryeqyteteve të Krahinave të Atdheut të panënshtruar, me ndikim absolut në platformen për çlirim e përparim të Kombit tonë!
Në veprimtarinë tonë ilegale politiko-patriotike, bashkë me Heroin e Kombit, shokun e bashkëveprimtarin tim Xhevat Qerimi dhe më vonë edhe bashkë me Heroin e Kombit, shokun e bashkëveprimtarin tim Tefik Zymberi, dhe me shumë shokë të tjerë të gjallë me kontribute të shquara, e kishim për obligim e për detyrim kombëtar, e kishim përgjegjësi por edhe e kishim fat, që ishim ngarkuar dhe zgjedhur, të drejtonim në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe ta vazhdonim rrugën Tuaj, Udhëheqësi ynë i madh Kadri Zeka, dhe ia dolëm të jemi fitimtar, të lirë e të pavarur!
Më 17 Nëntor 1994, në Zvicërr, atje ku Ti bashkë me Jusuf e Bardhosh Gërvallen, shkëlqeve me madhështi të jashtëzakonshme, si asnjë tjetër, duke ia vënë bazat e shëndosha veprimit ilegal jashtë Atdheut, shokët dhe vazhduesit e veprimtarisë Tënde, Udhëheqës në Lëvizjen Popullore të Kosovës, edhe de jure e themeluan në Arau, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila e stervitur dhe e përkrahur nga Nëna Shqipëri, luftoi heroikish kunder Serbisë pushtuese dhe e ndihmuar nga aleati ynë i madh Shetet e Bashkuara të Amerikës, e bëri realitet endrrën Tënde, të shokëve e bashkëveprimtarëve Tuaj, të qindra dhe mijëra Heronjëve e Dëshmorëve të UÇK-së, që e derdhën gjakun lum dhe të luftëtarëve heroik, ushtar e komandant lavdimdhenj, trima e sypatrembur, që luftuan dhe e çliruan Kosovën nga çizmja pushtuese serbe dhe tradhtare!
Ne veprimtarët e Lëvizjes Popullore të Kosovës – LPK, pasardhësit besnik e të pa dilema në rrugën Tënde, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kishim për obligim që Brigadën e parë të Zonës Operative të Karadakut, ta emronim me emrin Brigada 171 “Kadri Zeka”, dhe të rreshtoheshim e ta kishim në ballë flamurin që mbante emrin Tënd të pavdekshëm!
I dashur Udhëheqësi ynë Kadri Zeka!
Lëvizja Popullore e Kosovës, në themelet e së cilës ishte gjaku, djersa dhe aktiviteti Yt i madh, nuk e ndali aktivitetin e saj edhe pas çlirimit nga Serbia pushtuese të Kosovës, Ajo në vitin 2000 e themeloi UÇPMB-në në Luginë të Preshevës dhe në vitin 2001 e themeloi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni të Veriut!
Të tri ushtritë çlirimtare të dalura nga brumi i LPK-së, bënë realitet pjesë të mëdha nga Platforma Jote, dhe Ti i madhi i pavdekshëm Kadri Zeka, duhet të jeshë i qetë e i lumtur në shtartin e lavdisë së përjetshme!
Të nderuar të pranishëm!
Heroi i madh i popullit, Atdheut e Kombit tonë Kadri Zeka, bashkë me Simbolin e Bashkimit me Shqipërinë, Heroin e Kuvendit të Kosovës në Prizren Ramiz Cernicën, u dasht të kalonin 25 vite pas çlirimit, dhe erdhën të fundit në permendore, ndonëse duhej të vinin të parët!
Përsëri gjej rastin, ta falënderoj Kryetarin e Komunës Alban Hysenin, sepse në mandatin e parë të udhëheqjes së Tij Ky e solli Ramiz Cernicën dhe ja sot, këtu e solli edhe Kadri Zeken!
Por i dashur dhe i nderuar Kryetar Alban Hyseni, të kanë mbetur me i shkrirë në shtatore në bronz edhe tre Heronj të Kombit!
Është nga Gjilani, Heroi i Kombit Zija Shemsiu, i vetmi shqiptar nga Kosova, i mbytur në torturë në vitin 1985 në Burgun Qendror në Beograd, është Komandanti i njësiteve të para të UÇK-së i stërvitur në Shqipëri bashkë me Zahir Pajazitin, Heroi i Kombit Xhevat Qerimi dhe është Heroi i Kombit e Heroi i Universitetit të Tetovës Alban Ajeti!
Bëji edhe këta tre, bashkë me Idriz Seferin, Mulla Idrizin, Ramiz Cernicën, Kadri Zeken, Rexhep Malen, Nuhi Berishen, Agim Ramadanin, Abdullah Tahirin, Heroinat etj., sepse Gjilani e meriton, dhe duhet të stoliset me shtatore trualli i tij me bijtë dhe bijat besnike që i kanë dalur zot nëpër histori!
Lavdi të pavdekshmit Kadri Zeka!
Lavdi Heronjëve dhe Dëshmorëve të Kombit!
Gjilan, 17 Janar 2024!