Kadri Zeka-Zeqa, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Zijah Shemsiu në ballë të mërgatës shqiptare
-Në 40-vjetorin e demonstratës së parë në Bern të Zvicrës
Shkruan: Ismet Rashiti
Sot, e dyzet vjet më parë, me iniciativën e ideologut dhe udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Kadri Zeka, në marrëveshje dhe koordinim me heronjtë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Zijah Shemsiu, veprimtarët Ibrahim Kelmendi, Hasan Malaj, Halil Malaj, Kadri Avdullahu, Nexhmedin Ahmetaj, Hajdar Sadriu, Beat Schafer, Kathrin Asal, flamurtari Rrustem Mahmuti dhe një plejadë e tërë veprimtarësh në Zvicër e Gjermani, në Bern të Zvicrës, u organizua demonstrata e parë për Republikën e Kosovës.
Lejen për demonstratën e parë në policinë zvicerane e kishin marrë, Beat Schaffer, Kathrin Asal dhe Hjadar Sadria.
Pra, sot e 40 vjet më parë, pikërisht në ora 10:30 minuta në sheshin Neungasse-Waisenhausplatz për herë të parë është dëgjuar zëri kumbues i Kadri Zekës me brohoritjen e parullës Kosova Republikë, për të marshuar pastaj Zughasusgasse – Kornhausplatz-Kramgasse-Gerechtigkeitsgasse-Nydeggbrdcke-Muristalden-Muristrasse dhe Brunnadernstrasse deri në Seminarstrasse, para ambasadës ish jugosllave, kësaj çerdhe shovinistësh që spiunonte e denonconte punëtorët shqiptarë.
Pesë ditë para se të fillonte demonstrata, gjatë një takimi që kisha me Kadri Zekën-Zeqën në Cyrih, ku ishte i pranishëm edhe Bardhosh Gërvalla, mora tekstin e parullave që duhet të përgatiteshin për demonstratë dhe së bashku me zviceranen, Sara Gretller, i përgatitëm parullat e para në gjuhën shqipe dhe gjermane.
Parullat që i shkruajtëm dhe u brohoritën në demonstratën e parë ishin : Kosova Republikë!, Ne jemi me studentë!, “Jemi shqiptarë-nuk jemi jugosllav”, “Liri për Kosovën”, “Poshtë dhuna dhe terrori serb në Kosovë”, “Trepça punon-Beogradi ndërton”!
Para ambasadës së ish Jugosllavisë, Heroi i Kosovës, Kadri Zeka, e mbajti një fjalim emocionues për gjendjen e rëndë në Kosovë pas demonstratave të vitit historik 1981. Ai foli për dhunën policore e ushtarake, për vrasjet e rinisë shqiptare, për orën policore e ushtarake që ishte vendosur dhe për heroizmin e rinisë shqiptare liridashëse! Gjatë gjithë kohës sa zgjati fjalimi i Kadri Zekës, të pranishmit të revoltuar dhe me lot në faqe brohorisnin parullat Kosova Republikë! Poshtë terrori serb në Kosovë, Ne jemi me Kosovën!
Në fund, në emër të pjesëmarrësve, organeve më të larta shtetërore të ish Jugosllavisë iu dërgua një peticion, përmes së cilit u kërkua që të realizohen të gjitha kërkesat e drejta të shqiptarëve dhe të ndërpritet menjëherë terrori policor e ushtarak mbi popullin e pafajshëm shqiptar.
Peticioni i parë me të gjitha kërkesat e shqiptarëve, u dërgua në ambasadën e ish Jugosllavisë nga një delegacion në përbërje, Kadri Zeka, Beat Shaffer dhe Rashit Rashiti.
Demonstrata e parë e 11 prillit 1981, në të cilën morën pjesë rreth 300 demonstrues, bëri kthesë të madhe në organizimin e punëtorëve shqiptarë, ndërkaq qëllimi i udhëheqësve ish jugosllav për t’i dënuar demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, dështoi plotësisht.
Që nga 11 prilli i vitit 1981, mërgata shqiptare, gjithnjë ka qenë krah i fortë i Kosovës, duke dhënë kontributin e saj, aty ku është kërkuar dhe pa u ndalur për asnjë moment!