Kadrijaj e AAK-së: Qeveria e ka pranuar Asociacionin
Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, ka njoftuar se i është drejtuar me një letër Këshillit të Evropës, ku shpreh zotimin e qeverisë për dërgimin e një drafti të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Gërvalla ka thënë se kjo do të ndodh deri në fund të këtij muaji.
Lidhur me këtë para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ka folur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj.
Kadriaj ka thënë se “e vërteta është se qeveria e ka pranuar Asociacionin”.
“Kjo qeveri nuk po na befason me këto deklarata. Nuk mund të jetë më e fuqishme një letër zotuese e ministres së Jashtme, sesa ajo që e kanë bërë presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentar, të cilët janë zotuar se në plotni do ta zbatojnë edhe Marrëveshjen edhe të Brukselit edhe aneksin e Ohrit, në të cilën përfshihet edhe Asociacioni. Dhe tani edhe një letër tjetër prej ministres së Punëve të Jashtme, nuk po mundem ta kuptoj. A do ta dërgojnë apo nuk do ta dërgojnë është çështje ditësh. Megjithatë, një është e vërteta. E vërteta është se qeveria e ka pranuar Asociacionin”, ka thënë Kadrijaj.