Kadrijaj: Nuk janë votat për versionin aktual të demarkacionit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës,Time Kadrijaj, nuk beson se do të mund të sigurohen votat e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Ajo ka thënë se do të jetë shumë e vështirë të bëhen dy të tretat e votave për këtë marrëveshje në këtë legjislaturë. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka bërë me dije se kjo marrëveshje ose duhet të rinegociohet ose të dërgohet në arbitrazh.
“Duke u bazuar në deklarimet e mëhershme të deputetëve, mendoj se do të jetë vështirë të arrihen dy të tretat e votave për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Megjithatë, vendimi u takon deputetëve të Kuvendit që të vendosin për këtë çështje, pra është përgjegjësi e tyre”, ka thënë Kadrijaj.
Ajo ka treguar se edhe brenda PDK-së dhe LDK-së ka deputetë të cilët do të votojnë kundër kësaj marrëveshje.
“Mandatin e kaluar disa deputetë të PDK-së dhe të LDK-së kanë deklaruar se janë kundër kësaj marrëveshje. Nëse ata nuk kanë ndryshuar qëndrim, besoj se nuk janë votat për këtë marrëveshje. Pra, gjithçka është në dorën e deputetëve”, është shprehur ajo.
Sipas deputetes së AAK-së, Kosova nuk duhet të bëjë kompromis e, për shkak të liberalizmit të vizave, të japë tokë.
“Deputetët janë të zgjedhur nga vota e popullit dhe ata duhet të votojnë në bazë të vullnetit të tyre të lirë. Ne konsiderojmë se me këtë marrëveshje Kosova humbet territor dhe nuk mendoj se është mirë të votohet dhe të bëjmë kompromis që Kosova të humbë territor për liberalizim të vizave”, ka thënë Kadrijaj.
Sa i përket iniciativës për zhbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale, ajo ka thënë se është në dorën e deputetëve të vendosin për këtë çështje. Sipas saj, Gjykata Speciale është e padrejtë dhe dëmton imazhin e Republikës së Kosovës.
“Epoka e re”: Znj. Kadrijaj, Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike e ka dërguar të hënën në Kryesi të Kuvendit ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Pse mendoni se nuk u përkrah rekomandimi i disa deputetëve të këtij komisioni për këtë marrëveshje?
Kadrijaj: Në këtë mbledhje prezantuam qëndrimet tona për këtë marrëveshje. Ne, deputetët që dhamë qëndrimin kundër kësaj marrëveshje, ishim që komisioni ta votojë rekomandimin që e propozuam ne, që projektligji të mos votohet as në seancë plenare. Mirëpo dihet se vendimet merren me shumicë votash dhe kur propozimi u hodh në votim, votat ishin të barabarta (5:5). Në këtë rast, kryetarja e komisionit e shfrytëzoi veton e vet dhe u vendos që marrëveshja për demarkacionin t’i procedohet kryesisë së Kuvendit pa rekomandim.
“Epoka e re”: Pra, ju nuk keni ndryshuar qëndrim ndaj kësaj marrëveshje?
Kadrijaj: Ne kemi qëndrimin e njëjtë. Nuk kemi ndryshuar asgjë. Kemi qenë të bindur se kjo marrëveshje është gabim, edhe në kohën kur e kemi kundërshtuar në mënyra të ndryshme. Njëjtë edhe tash mendoj se kjo marrëveshje është e gabuar. Raporti i komisionit të ri për demarkacionin e ka dokumentuar atë që kemi menduar më parë, se marrëveshja e demarkacionit është e dëmshme për Kosovën. Madje raporti tregon se komisioni paraprak ka bërë edhe tejkalim të kompetencave të veta, sepse ai komision është caktuar për ta bërë shënjimin e vijës kufitare në mes të dy vendeve dhe jo për të bërë kufi të ri.
“Epoka e re”: Edhe në këtë mbledhje të komisionit u pa se partnerja juaj e koalicionit, PDK-ja, është pro kësaj marrëveshje. E shihni të mundshëm sigurimin e votave të nevojshme për ratifikimin e kësaj marrëveshje?
Kadrijaj: Duke u bazuar në deklarimet e mëhershme të deputetëve, mendoj se do të jetë vështirë të arrihen dy të tretat e votave për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Megjithatë, vendimi u takon deputetëve të Kuvendit që të vendosin për këtë çështje. Pra, është në përgjegjësinë e tyre.
“Epoka e re”: Në bazë të kësaj që thoni i bie se demarkacioni nuk do të kalojë në Kuvend?
Kadrijaj: Në mandatin e kaluar disa deputetë të PDK-së dhe të LDK-së kanë deklaruar se janë kundër kësaj marrëveshje. Nëse ata nuk kanë ndryshuar qëndrim, besoj se nuk janë votat për këtë marrëveshje. Pra, gjithçka është në dorën e deputetëve.
“Epoka e re”: Miratimi i demarkacionit është kërkesë permanente e partnerëve të Kosovës dhe kushti kryesor për liberalizimin e vizave?
Kadrijaj: Deputetët janë të zgjedhur nga vota e popullit dhe ata duhet të votojnë në bazë të vullnetit të tyre të lirë. Ne konsiderojmë se me këtë marrëveshje Kosova humbet territor dhe nuk mendoj se është mirë të votohet dhe të bëjmë kompromis që Kosova të humbë territor për liberalizim të vizave. Dihet që kriter për liberalizim të vizave nuk është vetëm demarkacioni. Kriter mbetet edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit. Kështu që, mendoj se ndoshta do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje, ose të rinegociohet marrëveshja, ose ajo të shkojë në arbitrazh.
“Epoka e re”: Këtë javë pritet që Kryesia e Kuvendit ta shqyrtojë edhe iniciativën e disa deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Si duhet të veprojë Kryesia e Kuvendit në këtë rast?
Kadrijaj: Ndoshta këtë pyetje do të ishte mirë t’ua bënit anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit. Aty anëtarët e Kryesisë së Kuvendit do të vendosin nëse do ta procedojnë më tutje nismën e deputetëve.
“Epoka e re”: Mirëpo kjo iniciativë e deputetëve ka ardhur si rezultat i një peticioni të OVLUÇK-së, pjesë e se cilës iniciativë jeni edhe ju.
Kadrijaj: Kjo është iniciativë e deputetëve nënshkrues, ku janë respektuar të gjitha procedurat ligjore. Deputetët kanë të drejtë të marrin nisma të tilla, ndërsa tash varet prej kryesisë së Kuvendit nëse do ta procedojë më tutje këtë çështje apo do ta ndalë.
“Epoka e re”: Në rast se kryesia e Kuvendit do ta procedojë për në esencë këtë iniciativë, do ta përkrahni shfuqizimin e Ligjit për Specialen?
Kadrijaj: Edhe për këtë çështje Aleanca dhe unë nuk kemi ndërruar qëndrim. Ju e dini se AAK-ja ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale e cila është një-etnike dhe selinë do ta ketë në Hagë. Ne kemi konsideruar se një gjykatë e tillë është e padrejtë, pasi dëmton shumë imazhin e Kosovës. Kështu që, sërish kjo do të varet prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por, unë e mbroj qëndrimin se kjo gjykatë është e padrejtë.
Muhamet KOCI