Kadyrovit i ndalohet hyrja në Mal të Zi
Mali i Zi ka zgjatur sanksionet për 1,552 persona dhe 246 persona juridikë që zbatojnë ose mbështesin aktivitete dhe politika që kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës ose pengojnë punën e organizatave ndërkombëtare në atë vend.
Kështu thuhet në vendimin e fundit të Qeverisë për vendosjen e masave kufizuese ndërkombëtare të përcaktuara me vendimet e Këshillit të Bashkimit Evropian në lidhje me veprimet që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, raporton Vijesti.
Sipas vendimit të 5 shtatorit të Qeverisë, personave nga lista u ndalohet hyrja në territorin e Malit të Zi. Mes tyre ka politikanë, pjesëtarë të ushtrisë, prokurorë, gjyqtarë, punonjës të medias, roje sigurie e sipërmarrës.
Në mesin e këtyre emrave janë Presidenti rus Vladimir Putin , Ministri i Punëve të Jashtme të Federatës ruse Sergei Lavrov , Ministri i Mbrojtjes i Federatës ruse Sergei Shoigu , ish-presidenti i Rusisë dhe zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë ruse Dmitri Medvedev dhe President i Republikës së Çeçenisë Ramzan Kadyrov.
Në vendimin e qeverisë thuhet se këta janë persona që ofrojnë në mënyrë aktive mbështetje materiale ose financiare për vendimmarrësit rusë ose përfitojnë nga vendimmarrësit rusë që janë përgjegjës për aneksimin e Krimesë ose destabilizimin e Ukrainës dhe që menaxhojnë transaksionet me grupet separatiste në Rajonin e Donbasit të Ukrainës. /Telegrafi