Kahn, Bayernit: Merreni Zidanen për Ligën e Kampionëve
Ecuria e Real Madridit në Ligën e Kampionëve është diçka e paramenduar, sidomos në periudhën kur francezi mori drejtimin e madrilenëve.
Mirëpo, dy Liga të Kampionëve të fituara radhazi me skuadrën spanjolle, filozofia e lojës dhe dominimi së fundmi në Evropë, e listojnë trajnerin aktual të galaktikëve si një ndër më të lakuarit momentalisht.
Oliver Kahn, duke komentuar përballjen e Realit, sidomos performancën e Zidanes në krye, i ka sugjeruar Bayernit t’i kthejë sytë nga ai për bankinën, në fund të sezonit. “Pa dyshim se ia vlen ta konsiderojmë Zidanen trajner të ardhshëm te Bayerni. Mendoj se do të ishte magjike”, ka thene Kahn për “ZDF”.
Më tej, ai ka komentuar situatën aktuale të trajnerit francez: “Është francez, flet spanjisht, por nuk do të thotë se nuk mund të mësojë gjermanisht”.
Ish-gardiani legjendar i Bayernit dhe Gjermanisë ka bërë edhe krahasimin mes Kovaçit, një ndër pretendentëve kryesorë për t’i pasur Heynkesin dhe Zidanen. “E kuptoj situatën aktuale të Bayernit, që ka dëshirë t’ia besojë ekipin dikujt që e njeh, e për këtë Kovaç është interesant, por ai nuk është ekspert për të bërë atë që Reali dhe Zidane kanë arritur në Ligën e Kampionëve”, përfundon legjenda gjermane e portës, Oliver Kahn, në lidhje me pasuesin e trajnerit aktual të Heynkes.
Ky i fundit ka deklaruar se nuk mund të vijojë edhe një vit më tej me “bavarezët” dhe do të duhet të heqë dorë në fund të sezonit. Kovaç pritet ta zëvendësojë gjermanin në fund të sezonit, edhe pse asgjë nuk është zyrtare. Pochetino i Tottenhamit është një emër tjetër për stolin “bavarez”. Rumenige deklaroi para një jave se trajneri i ri do të vendoset në fund të muajit prill.