Kajtazi: Partitë duhet t’ia kujtojnë Kurtit kohën kur ka tentuar ta djegë Kuvendin
Gazetari Vehbi Kajtazi, ka folur për ftesat e Albin Kurtit ndaj partive tjera për të diskutuar rreth çështjes së presidentit.
Ai ka thënë se duhet të analizohet prej kujt po dërgohen ftesat, duke rikujtuar kohën kur partitë e tjera zgjedhnin kandidatët e tyre për president.
“Letrat po vijnë nga Kurti, i cili lëre se nuk ka bashkëpunuar me partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit ndonjëherë, por ka tentuar ta djegë Kuvendin për çështje të ngjashme. Kjo duhet t’i përmendet dhe t’i rikujtohet Kurtit në çdo moment. Pra ka qenë edhe jo-bashkëpunues, por edhe i dhunshëm. Janë organizuar protesta, janë lënduar qytetarë e policë, ka edhe qytetarë të vrarë, por çfarë duhet të veprojë opozita tani? Unë nuk e kam përkrahur dhunën as atëherë, por as tash, kështu që mendoj se as tash nuk duhet të shihet dhuna dhe refuzimi për bashkëpunim si zgjidhje”, ka thënë Kajtazi në Dukagjini, transmeton Periskopi.