Kajtazi: Pozicionimi i Kurtit në raport me Ahmetin, akt kundër interesave të shqiptarëve
Gazetari Vehbi Kajtazi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ndërhyrjet në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka vlerësuar se ndërhyja e Kurit në këto zgjedhje është e dyshimtë dhe antikombëtare
Kajtazi ka treguar se pse veprimet e Kurtit janë të tilla.
“Nuk jam përzi në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut (ndonëse kujt nuk ia nin a jam përzi a jo), sepse shqiptaret e atjeshëm kanë të drejtë të zgjedhin këdo që mendojnë se është mirë për ta. Po përzihem pak për shkak të përzierjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtin në një projekt për ta rrezuar Ali Ahmetin. Angazhimi i Kurtit është krejtësisht i dyshimtë dhe antikombëtar. Pse? Sepse Ali Ahmeti është njeri prej udhëheqësve të luftës për çlirimin e Kosovës. Sepse Ali Ahmeti kurrë nuk kërkoi dhe nuk mori asgjë nga Kosova për shërbimin që bëri për liri dhe pavarësi. Sepse Ali Ahmeti bëri më shumë për Kosovën sesa krejt këta që udhëheqin Kosovën këto tri vjet e fundit”, ka shkruar Kajtazi në “Facebook”.
Sipas tij, pozicionimi i Kurtit kundër Ali Ahmetit rrezikon interesat e shqiptarëve të Maqedonisë.
“Siç e theksova, votuesit shqiptare në Maqedoni të Veriut kanë të drejtë të zgjedhin këdo. Por, para se ta bëjnë këtë duhet të mendojnë mirë se a janë për zhvillim e përparim, apo për diskriminim dhe izolim. Ali Ahmeti mund të mos jetë i mirë vetëm për maqedonasit, kurrsesi për shqiptarët. Pozicionimi i Kurtit në raport me Ali Ahmetin, është akt kundër interesave të shqiptarëve në Maqedoni. Kështu do të duhej ta shihnin votuesit atje”, ka shkruar Kajtazi.