Kalenderi sërish shkëlqeu në Sternberk të Çekisë
Liridon Kalenderi ka arritur rezultat të shkëlqyeshëm në garën e disiplinës malore EcceHomo, e cila u mbajt në Sternberk të Çekisë.
Kalenderi në një konkurrencë tejet të fortë, në Grupin 1, me Mitsubishi Lancer Evo 9 u rendit i dyti, sukses ky shumë i madh për Kalenderin dhe automobilizmin kosovar në përgjithësi.
Kalenderi shkëlqeu sidomos në vozitjen e dytë, në të cilën pati kohën më të mirë. Shtegun me gjatësi prej 7.8 kilometra, ai e kaloi për 03:04.57 minuta, që ishte për më tepër se 4 sekonda më i shpejtë se në vozitjen e parë.
Pozita e parë i takoi zviceranit me nënshtetësi çeke Ronnie Bratschi, i cili pas dy vozitjeve pati kohën e përgjithshme prej 06:13.01 minuta, vetëm 0.44 sekonda më i shpejtë se Kalenderi. Podiumi i fituesve në këtë grup u plotësua nga polaku Jedrzej Szczesniak.