“Kalëruese e dhembjeve jam” përkthehet në gjermanisht
Është përkthyer dhe botuar nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane libri i Kimete Ternavës, “Kalëruese e dhembjeve jam” (“Reiterin der schmerzen bin ich”), nga përkthyesi Salajdin Gashi. Sipas redaktorit të këtij libri, Adem Gashi, poetja Ternava “është një kalorëse këmbëngulëse, e durueshme dhe e ekuilibruar e dhembjes. Përtej këtij mëtimi ajo na bindi se ndjek itinerarin e shkronjave gjatë të cilit formon trajtat dhe përmbajtjet estetike të ndjenjave, temave e motiveve.
Në kontekstin e pozicionit krijues ajo si duket është e zgjedhura e fatit të mërgimtares, e fatit të gruas, e fatit të reagimit të mençur që shpërfill tundimet dhe joshjet e botës gri.
Sot, në botë e këtu, ka lëvizje të shumta, shoqata e ojq që me butafori shurdhojnë dynjanë sikur u plasi për femrën, gruan e barazinë gjinore. Kimetja ka zgjedhur mjetin e saj, fjalën e bukur dhe vargun poetik për zëdhënës të shqetësimeve, trysnive e shtrëngesave të tjera të jetës. Duke qëmtuar çastet nga tërësia e ditëve ajo vetidentifikohet me subjektet lirike dhe shqipton protestën artistike krejtësisht autentike.
Vargjet dhe poezitë e këtij libri më vijnë shumë shpresëdhënëse për zhvillimin e saj brenda gjirit të poeteshave shqiptare”.