Kalifornia orientohet drejt energjisë diellore
Kalifornia është tashmë shteti i parë amerikan që ka vendosur kriterin e paneleve diellore për shtëpitë e reja që do të ndërtohen nga viti 2020.
Shteti i Kalifornisë është në krye të përpjekjeve për zvogëlimin e gazit të karbonit që çlirohet në atmosferë, ndërkohë që Uashingtoni ka objektiva më pak ambicioze.
Ndërsa Presidenti Donald Trump dhe zyrtarët amerikanë të mjedisit po zbusin rregullat për ndotjen, Kalifornia po lëviz drejt energjisë diellore. 40% e të gjithë paneleve diellore në SHBA, gjenden që tani në këtë shtet, ku kompanitë e shërbimeve komunale po promovojnë panelet diellore.
“Mbi një çerek milionë klientë, banorë dhe biznese, kanë instaluar tashmë panele diellore në pronat e tyre. Po e rrisim këtë numër me rreth 4 – 5 mijë lidhje të reja në muaj”, ka deklaruar Jill Anderson, nga kompania “South California Edison”.
Mandati i ri legjislativ do ta bëjë energjinë diellore pothuajse universale, ndërkohë që edhe burimet e energjisë së pastër po bëhen më të lira.
“Po zbulojmë se tashmë energjia diellore dhe ajo nga era janë shpesh variantet më të lira. Arizona organizoi një tender ofertash, dhe energjia diellore iu ofrua me një çmim nën 2 cent për kilowat/orë. Konkurenti më i afërt ishte qymyrguri, por me një çmim mbi dyfish”, ka deklaruar Daniel Kammen, nga Universiteti i Kalifornisë.
Por, kritikët ankohen se detyrimi për vendosjen e paneleve diellore do të rrisë kostot e ndërtimit me rreth 10 mijë dollarë për shtëpi.
Një ekspert i energjisë diellore ka thënë se megjithatë është me leverdi për ata që do të blejnë shtëpinë.
“Nëse nuk vendosen panelet, ndoshta mund të kursehet diçka gjatë ndërtimit. Por, nuk do të ishte veprim i mençur nga pikëpamja financiare dhe shoqërore”, është shprehur Peter Saeta nga Kolegjit “Harvey Mudd”.
Zyrtarët e shtetit të Kalifornisë kanë premtuar të ulin me 40% nivelin e ndotjes, deri në vitin 2030./voa/