Kalim ilegal i kufirit dhe kontrabandë me mallra nga Serbia, policia ndalon pesë vetura në Zveçan
Policia e Kosovës, në vazhdën e zhvillimit të aktiviteteve me intensitet të shtuar, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave kryes të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, si rezultat edhe i ndërveprimeve të përbashkëta të njësive policore me ato të njësive policore kufitare, kanë ndaluar disa automjete të ngarkuara me mall të dyshuar për kontrabandim në fshatin Kozarevë, Komuna e Zveçanit.
“Me datën 11.10.2023, rreth orës 22:45 në lokacionin e lartcekur, nga njësitë kompetente policore janë ndaluar pesë automjete të dyshuara, ku nga to katër me targa të Serbisë dhe një me targa të RKS-së, që të gjitha me drejtues pesë të dyshuar meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit të mjeteve janë hasur sasi e konsiderueshme e mallrave (produkte ushqimore dhe higjienike) të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ka njoftuar se lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit iniciohen rastet ‘kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare’ dhe ‘kontrabandim me mallra’, ku të njëjtat procedohen në procedurë të rregullt, ndërsa mjetet e përfshira në rast dhe mallrat e ngarkuara sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor – Mitrovicë për procedura të mëtejme, në koordinim me Doganën e Kosovës për trajtim sipas kompetencave.