Kalimi i pakos së ligjeve në Kuvend, jetik për sundimin e ligjit
Sot është mbajtur takimi i pestë për sundimin e ligjit, i iniciuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.
Ky takim ka pasur për fokus sundimin e ligjit në Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Duke e cilësuar vitin 2018 si vit të sundimit të ligjit, kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se sundimi i ligjit ende vazhdon të mbetet si sfidë për vendin, por sipas tij, po punohet me përkushtim me të gjithë akterët, në mënyrë të përmirësohet gjendja në këtë fushë.
Kryeministri Haradinaj ka inkurajuar gjithashtu të gjitha palët e përfshira në këtë fushë, që të punojnë edhe në nxjerrjen e akteve ligjore e nënligjore, në mënyrë që të mos jenë ato pengesë për të ecur përpara.
Kurse Blerim Isufaj nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka renditur punët e këtij Këshilli për vitin që lamë pas, duke përmendur edhe sfidat me të cilat po përballen, siç është buxheti i pamjaftueshëm, rekrutimi i stafit dhe plotësimi i pozitave në këshill.
Nga ana tjetër kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka treguar se në vitin 2017 janë zgjidhur 71 230 lëndë penale dhe se 89 për qind të të akuzuarve kanë përfunduar me aktgjykime.
Kryeprokurori Lumnezi ka treguar që sfidë vazhdon të mbetet edhe plotësimi i vendeve të lira në Prokurori, të cilat mund të vijnë vetëm nga ndryshimi i kritereve të emërimit dhe ndryshimi i ligjit të ri për konfiskimet.
Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ka inkurajuar Kuvendin e Kosovës që sa më parë të kalojë në procedim paketën ligjore, në mënyrë që të ketë progres në fushën e sundimit të ligjit edhe në planin e brendshëm të Kosovës por edhe në rrugën e saj integruese.
Ndërkaq shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka përmendur rolin kyç të prokurorëve në vend dhe adaptimin e legjislacionit të nevojshëm për punën e tyre.
Edhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ka përmendur rëndësinë e rekrutimit të më shumë prokurorëve në vend dhe aftësimin e stafit në specifika të caktuara për punën e tyre.
Kurse ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer me Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin Prokurorial, ka njoftuar se pakoja prej 10 ligjeve është dërguar në Kuvend dhe po pritet kalimi i tyre në leximin e dytë.
Ndërkohë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se sa më i madh të jetë intensifikimi në shenjtërimin e rasteve dhe zgjidhja e tyre, por edhe konsolidimi i paketës ligjore, Kosova ka mundësi më të mëdha të marrë komente pozitive nga Bashkimi Evropian dhe kështu të ecet më shpejtë dhe hapa të sigurt drejt perspektivës evropiane.
Takimi i sotëm, është takimi i radhës në kuadër të nismës që kryeministri Ramush Haradinaj ka ndërmarrë me fillim të mandatit për ta shpallur 2018-n vit të sundimit të ligjit në vend.
Në takimin e radhës, i pari i Qeverisë i ka ftuar të gjithë akterët që të diskutojnë për gjendjen në sistemin Gjyqësor të Kosovës.