Kalkulimet e hershme për koalicione
Nga momenti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, disa nga partitë politike kanë paralajmëruar mundësinë e fillimit të negociatave për krijimin e koalicioneve, si formë e përgatitjes për të marrë pushtetin pas zgjedhjeve, të cilat po besohet se mund të pasojnë dorëheqjen e Haradinajt.
Analistë të çështjeve politike në Kosovë japin mendime të ndryshme sa u përket koalicioneve të mundshme për zgjedhjet e parakohshme eventuale.
Armend Muja, analist politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se vështirë mund të parashikohen koalicionet mes partive politike në zgjedhjet eventuale.
Megjithatë, sipas, tij, qëndrimet e partive politike për çështjet e rëndësishme për Kosovën, siç është dialogu me Serbinë, mund të determinojnë edhe caktimin e koalicioneve të mundshme midis partive politike.
“Ajo çka ne mund ta parashikojmë se çka mund të ndodh, është varësisht nga qëndrimet e partive politike në tre apo katër çështje bazë që e preokupojnë Kosovën. E para ka të bëjë me dialogun me Serbinë, e dyta ka të bëjë me çështjen e Asociacionit të komunave serbe, e treta ka të bëjë sa i përket qëndrimit të tyre rreth Gjykatës Speciale dhe e katërta ka të bëjë me qasjen e tyre në raport me integrimin evropian”, thotë Muja.
Deri më tani, një pretendim për koalicion ka shfaqur Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka ftuar Lidhjen Demokratike për koordinim të forcave, duke besuar se vendi tashmë po shkon në zgjedhje.
Kurse, partitë që aktualisht janë në koalicionin e qeverisë në dorëheqje, kanë preferuar të heshtin, duke pritur epilogun e këtyre zhvillimeve.
Por, nisur nga çështjet kryesore politike me te cilat Kosova preokupohet, përfshi edhe rrafshin ndërkombëtar, sipas analistit Armend Muja, koalicioni në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është vështirë të bëhet realitet.
Sipas tij, partitë politike të cilat kanë qenë pjesë e qeverisë në dorëheqje do të jenë të përfaqësuara ndoshta me ndihmën e akterëve të jashtëm që të bëjnë një marrëveshje më të madhe.
“Nuk mendoj që partitë politike do të nënshkruajnë marrëveshje parazgjedhore këtë herë, për faktin se marrëveshjet parazgjedhore po i bëjnë partitë politike dhe skenën politike të paparashikueshme, prandaj unë mendoj se ka një trend tjetër, do të ketë koalicione të partive politike të mëdha me parti të vogla”, thekson Muja.
Në anën tjetër, Taulant Kryeziu, analist i çështjeve politike e sheh si të mundshëm deri më tash koalicionin ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, partitë e mëdha janë më afër të bëjnë koalicione parazgjedhore sesa pas zgjedhore.
“Në pikën e dialogut ka një bashkë-dyzim të koncepteve dhe qasjes në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, unë shoh që këto parti mund të ishin më të afërta të krijojnë një koalicion parazgjedhor apo paszgjedhor. Këto pastaj janë kalkulime politike që është vështirë sot t’i dimë me saktësi, pasi që është me rendësi se kush do t’i prijë LDK-së pas konfirmimit të liderit të ri të saj”, thotë Kryeziu.
Për një koalicion të mundshëm parazgjedhor ndërmjet këtyre dy partive politike më të mëdha opozitare ka folur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.
“Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm, jemi në komunikim të pëcrhershëm me LDK dhe në ditë e javët në vijim në do të bashkërendohemi për të mirën e Kosovës”, ka thënë Kurti
Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkohë nuk është deklaruar për ndonjë koalicion të mundshëm me ndonjë parti vetëm se kanë kërkuar nga presidenti i Kosovës që t’i nis konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.
Pas dorëheqjes së Haradinajt, Isa Mustafa tha se “LDK nuk pranon asnjë zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje të premten pasi që ka marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Që prej shpalljes së pavarësisë së saj, më 2008, Kosova nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme që ka kryer mandatin kushtetues prej katër vjetësh.
Pothuaj secila prej qeverive në Kosovë, të koalicioneve të ndryshme partiake, kanë hyrë në mocione mosbesimi dhe është detyruar të dorëhiqet duke e futur Kosovën në cikle të parakohshme zgjedhore.