Kaltrina Gosalci, (Katty) – Ylli që po vjen / video
Nga: Shefqete Gosalci
Kaltrina, (për ata që më kanë shkruar, nuk është vajza ime, është vajza e vëllaut tim Gafurrit dhe kunatës Sanijes).
E lindur në Gjerman, ajo erdhi në Kosovë në vitin 2000, kur vëllau u kthye nga Gjermania me gjithë familje. Ajo ishte 5 vjeçe kur u kthye dhe si vajza më e madhe e vëllaut të madh, bashkë me Kastriotin 3 vjeç, ne si familje e madhe që jemi, po çmalleshim me ta për gjithë ato vite pa i parë. Asokohe nuk kishe as vibër as fb, i kemi parë vetëm
në disa foto që rrallë na vinin.
Kaltrina manifestonte dashuri të madhe që dinte edhe ta transmetonte. U lidhëm shpirtërisht me të. Ajo me talentin e saj si në këndim, recitim, vizatim e vallëzim, na bënte për vete, na argëtonte gjithë familjen me orë të tëra. Me talentin e saj, siç thotë populli, “të merrte me vete”.
Kaltrina dhe Kastrioti ishin tashmë personazhet me të cilët po merreshim dhe po argëtoheshim të gjithë.
Shumica e familjarëve tanë kemi ditur të këndojmë dhe t’u biem instrumenteve, qiftelisë dhe kitares, kemi
pasur orkestrën dhe këngëtarët në familje, nëpër festa të ndryshme familjare e kombëtare kemi pasur pothuajse një shoqëri kulturo-artistike, kemi kënduar e vallëzuar, por në rrethanat e okupimit në të cilat jemi rritur kemi pasur të tjera prioritete. Unë dhe motra ime Shyhretja kemi kënduar disa vite në Shoqërinë Kulturo-Artistike “RINIA”, dhe kemi marrë pjesë në shumë Festivale të këngës.
Festivalin “Kosovarja këndon”, “I këndojmë Lirisë” etj, dhe në shumë koncerte, brenda dhe jashtë Kosovës. Shyhretja në vitin 1991 ka realizuar një kasetë me këngë patriotike, me tekste dhe komponime të Bahri Fazliut, (Hero i Kombit, për ata që nuk e dinë, Bahriu ishte edhe poet, kompozitor dhe instrumentist i talentuar), me orkestrën “Zëri i Kosovës”, nën orkestrimin e kompozitorit Musa Tolaj.
Talenti mbase është edhe gjenetik, sepse secili e kemi në masë të duhur. Edhe Kaltrina e ka të trashëguar.
Nē një emision dokumentar për Hebrenjët, si popull i persekutuar, kam mësuar se ata, e kishin në kulturë e tyre që fëmijëve të tyre t’ua mësonin së paku një instrument muzukor, që muzika t’ua bënte jetën më të lehtë.
Ndoshta një kulturë e tillë do të na shërbente edhe ne si shoqëri, që e kemi të përbashkët me Hebrenjët historinë e Holokaostit.
Nga dëshira për ta zhvilluar talentin e saj për recitim, Kaltrina disa herë ka marrë pjesë në emisionet për fëmijë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), herën e parë ka recituar poezinë “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, dhe unë po e prisja në oborrin e RTK-së, kur mbaroi emisioni erdhi mikja ime Shqipe Halili, e cila ishte redaktore e emisionit, po e mbante për dore Kaltrinën dhe më tha:
– Pse, këtë vjershë kaq të madhe ia keni mësuar kësaj vajze kaq të vogël, ajo e recitoj me aq emocion sa desh i doli zemra?
https://youtu.be/72uPkojF_Jw
Çka do të mësoj kjo, kur të rritet?
Shqipja kishte plotësisht të drejtë.
Kaltrina ishte nxënëse e klasës së tretë në Shkollën Fillore “PAVARSIA”, kur me “Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë AGIM DEVA”, vizituam atë Shkollë. Mes nxënësve të tjerë recitoj e këndoj edhe Kaltrina. Të fascionuar me talentin e saj, miqtë dhe kolegët e mij shpkrimtarë, Rifat Kukaj e Agim Deva, por edhe të tjerët Xhevati, Ganiu, Kismetja, më luten që Kaltrinën ta merrja ndonjërën nga orët letrare që mbanim nëpër shkolla. Ashtu edhe ndodhi. Herën e parë kur erdhi Kaltrina, të gjithë shkrimtarët e Karvanit, e pritën aq mirë, dhe i shtuan asaj vullnetin e dëshirën për artin, ndërkohë që Rifati si njeri dhe shkrimtar briljant që ishte, gjatë gjithë rrugës bisedoj me Kaltrinën, kur ajo mbaroj performancën e saj, me recitim e këndim, në orën letrare, Rifati i gëzuar i tha: Sot do ti kesh dhuratë prej meje dy libra dhe dy akullore, dhe nuk e harroj, kur mbrrijtëm në Prishtinë e mori për krahësh e hodhi në qafë, dhe ashtu duke komunikuar me të përshkoj tejpërtej sheshin e qytetit. Kaltrina e vogël dhe Rifati që ishte një “fëmijë” i rritur po ecnin disa metra para meje duke folur mbarë e mbrapshtë, e shpesh ua dëgjonim të qeshurat.
Duke e marr shpesh me vete në manifestime të shumta, ata që nuk na njihnin mendonin se Kaltrina ishte vajza ime.
Kaltrina, vajzë me shumë ëndrra, dëshira e talente, dhe entuziaste e guximtare në realizimin e tyre.
Kaltrina është pasionante. Unike.
Mbase në të janë akumuluar gjitha talentet që ne nuk arritëm t’i realizojmë.
Ka stilin dhe botën saj, është këmbëngulëse e kryeneqe dhe shumë e përkushtuar në atë që do.
Edhe këshilla nëse i jep, ajo i merr veq aq sa do.
Krahas studimeve në Infermieri, ajo zhvillon dhe kultivon edhe talentin e saj edhe në Stilizëm dhe Muzikë.
Ka 10 vite që bashkëpunon me kitaristin e njohur Afrim Hajdari, të cilin e falënderojmë familjarisht, për përkushtimin, profesionalizmin, dhe afirmimin e një talenteje të re që do ta pasuroj skenën muzikore të Kosovës.
Afrimi e ka shoqëruar me kitarë nëpër shumë mbrëmje të ndryshme muzikore.
Para disa ditësh lexova se një kompozotor i njohur suedez, e kishte zgjedhur zërin e këngëtares shqiptare, Erëza Muqolli, e cila jeton në Francë, për një projekt të madh muzikor.
Muzika padyshim ndikon drejtëpërsëdrejti në edukimin dhe formimin e personalitetit.
Prandaj sa më të realizuar dhe me shije ta kemi muzikën që dëgjojmë aq më të edukuar dhe formuar do të jemi, si individ dhe si shoqëri.
Shpresoj, shumë prej Jush do ta pëlqeni edhe zërin e Kaltrinës.
Natyrisht, shijet janë individuale.
Ajo, veç zërit eshtë edhe e bukur, me çka plotëson dhe një kriter mediatik.
Duke pasur para sysh që dikur nga rrethanat okupuese në Kosovë shumë talente janë shuar, Kaltrina ka mundësi ta zhvilloj dhe kultivoj këngën e lehtë, atë qytetare dhe argëtuese.
Ashtu si shumë vajza shqiptare të Kosovës (Era Istrefi, Rita Ora, Dua Lipa, ) që me zërin e tyre pushtuan majat e muzikës botërore, besoj edhe Kaltrina me zërin, timbrin dhe ngjyrën e veçantë të zërit që e ka dhuratë nga Zoti, me punë e përkushtim do të arrij të bëj edhe za.
Kënga “Mos më lini vet” (cover), është paraqitja e saj e parë në skenën muzikore, me të cilën i dëshirojmë shumë suksese.
Urime, Kaltrinë!
Tu plotësofshin ëndrrat!