“Kam një foto ku pistoletën ia kam vënë në kokë Edi Ramës” – Adriana Kalaja nën hetim për kanosje ndaj kryeministrit
Policia e Tiranës ka referuar në Prokurori, Adriana Kalanë, kryetare e komisionit të Apelimit në PD-së.
Policia kërkon hetime për kanosje për shkak të detyrës. Kalaja, pas disa shkrimeve për një foto të sajën me qitje, bëri një deklaratë publike dje gjatë protestës së bashkia Tiranë, ku shprehej se ka foto me pistoletë, që ia ka vënë në kokë Ramës.
“Ju e dini shumë mirë që mua nuk më lodh as mikrofoni, as pistoleta. Jam këtu për t’i thënë dikujt, mjaft u more me foton time me pistoletë, sepse kam një foto më të bukur, kur unë pistoletën e kam vënë në kokë të Edi Ramës, atë përdor”, tha Kalaja.
Kalaja është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ajo është shprehur se nuk ka dashur që të japë deklarata kërcënuese drejt Kryeministrit.
Sipas saj ka dashur të ironizojë disa shkrime në media dhe nuk ka patur si qëllim të bëjë deklarata kërcënuese. Megjithatë gjatë fjalës së saj në protestë ajo i shpreh me tone kërcënuese ndaj kryeministrit Rama.
”Sapo vij nga komisariati nr. 1 në orët e pasdites me kanë kontaktuar për të dhënë një deklaratë pa më thënë detajet për protestën e sotme. Për rreth një orë në policinë e pushtetit të kriminalizuar nga Edi Rama dhe Balla jam marrë në pyetje me akuzën e kanosje për shkak të detyrës. Unë sot paskam kanosur Edi Ramën.
Tani unë e kam medalje ari të më thërrasë policia e nakrosit dhe të akuzojë se paskam kanosur një bandit si Edi Rama. Unë deklaroj se e kanos Edi Ramën dhe e kanos për të shkuar në burg do apo nuk do Altin Dumani, do apo s’do Edi Rama që sot ka urdhëruar arrestimin tim”, – tha Kalaja.