“Kam një ‘Glock’ në shtëpi”, befason Kamala Harris: Sigurisht që kam qëlluar
Kamala Harris po përforcon pozitat e saj në sondazhet e fundit përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në SHBA dhe duket se disa pikë i ka fituar edhe me deklaratat e saj pro përdorimit të armëve.
Zv/Presidentja Harris së fundmi ka pranuar se di të qëllojë me armë dhe rrëfeu se ka një armë të regjistruar në emër të saj.
Zv/Presidentja demokrate në një intervistë për “60 Minutes” të CBS zbuloi të hënën se zotëron një armë gjysmë automatike të llojit “Glock”, me të cilën pranoi se ka qëlluar në mënyrë të sigurt në një poligon qitjeje.
“Unë kam një Glock që e mbaj prej disa kohësh”, tha Harris, teksa iu përgjigj një gazetari që e pyeti nëse ajo posedonte armë.
“A ke qëlluar me të?”, e pyeti gazetari. “Sigurisht që po, në poligonin e qitjes”, u përgjigj ajo duke qeshur dhe duke kujtuar të kaluarën e saj si prokurore.
Deri kohët e fundit, Kamala Harris ishte përpjekur të fshihte faktin se zotëronte një armë, duke u rreshtuar me kampin demokrat që tenton të favorizojë rregullore më të forta për përdorimin e tyre.
Më pas në mesin e shtatorit, zv/presidentja e zbuloi në një intervistë për Oprah Winfrey se ajo zotëron një armë, pa specifikuar se cilën, dhe u shpreh asokohe se do të qëllonte çdo person që mund të shkelte në banesën e saj.
Me zgjedhjet e 5 nëntorit në prag, një proces që shihet si garë kokë më kokë me rivalin e saj republikan Donald Trump, ajo është detyruar të mbajë tashmë një qëndrim në një vend si SHBA që ka më shumë armë se sa njerëz në qarkullim.