“Kam qëlluar në drejtim të një droni”- Deklarata e policit që mbeti i plagosur bashkë me Afrim Bunjakun në Banjskë
Sulmet me armatim të rëndë të terroristëve në rastin e Banjskës më 23 shtatorin e vitit që shkoi ia morën jetën rreshterit Afrim Bunjaku dhe lanë të plagosur zyrtarin policor Alban Rashiti. Ky i fundit iu desh t’i nënshtrohej një operimi në emergjencën e QKUK’së si shkak i plagëve të marra në kraharorin e majtë dhe në këmbën e majtë. Rashiti para Prokurorisë Speciale ka dëshmuar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja në Banjskë. Insajderi ju sjell detaje nga dëshmia e tij.
Sot u shënua përvjetori i rënies heroike të Afrim Bunjakut në Banjskën e Zveçanit. Ai u përkujtua nga figura politike dhe pati një ceremoni përkujtimore për të. Bashkë me Bunjakun e ndjerë, nga predhat që kishin hedhur terroristët e Banjskës plagë kishte marrë edhe polici Alban Rashiti.
Rashiti vjet ishte dërguar për në emergjencën e QKUK’së për t’i trajtuar plagët e marra në kraharorin e majtë dhe këmbën e majtë. Atij iu desh të operohej, ku pas operimit në vizitë pati edhe politikanë të pushtetit dhe opozitës.
Përgjatë kohës sa kishte dhënë deklaratë në Prokurorinë Speciale, më shtatë mars të këtij viti, ai po qëndronte në pushim mjekësor si pasojë e plagëve të marra.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, që ndjek 45 terroristë për veprat terroriste në territorin e Republikës së Kosovës në krye me Milan Radoiçiq, bën pjesë edhe dëshmia e policit Rashiti.
Rashiti në dëshminë e tij para prokurorëve ka treguar momentin kur është plagosur ai dhe kolegu i tij i ndjerë, Afrim Bunjaku, nga predhat e hedhura në drejtim të tyre kur kishin shkuar të inspektonin dhe vëzhgonin kamionët që bllokonin urën e Banjskës, pranë manastirit.
Rrëfimi i tij po ashtu thekson edhe rreziqet që kishin përjetuar nga sulmet e njëpasnjëshme të terroristëve deri në momentin kur ai dhe rreshteri Bunjaku ishin futur në veturë për t’u dërguar për trajtim.
Në ndihmë i kishin dalë kolegë të tjerë përmes autoblindës, që i shpiu në drejtim të Spitalit Rajonal të Mitrovicës, ku më pas Rashiti është dërguar me autoambulancë për në Emergjencën e QKUK’së për trajtim.
Kjo është deklarata e plotë e policit Alban Rashiti përpara Prokurorisë Speciale, të dhënë më 7 mars të këtij viti:
Deklarata e dëshmitarit Alban Rashiti: Më 07.03.2024. në Prokurorinë Speciale është dëgjuar dëshmitari Alban Rashiti, i cili ka konfirmuar deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës-DKT më 16.11.2023, ndërsa më pas ka thënë se pas kalimit të pikës kufitare në Izvor kanë vazhduar në drejtim të fshatit Banjskë për t’u kthyer në Stacion të Kushtovës së Vllahisë, por kur kanë arritur te ura që shpie në fshatin Banjskë kanë vërejtur se 2 (dy) kamionë kanë bllokuar rrugën në urën në hyrje të fshatit.
Ai po ashtu deklaroi se nga ai lokacion kanë vazhduar menjëherë në rrugën kryesore dhe së bashku me kolegët e tyre kanë njoftuar Dhomën e Komandës së Policisë se do të vazhdojnë ta kontrollojnë rrugën për të kontrolluar postblloqe të tjera, por gjithçka ka qenë në rregull dhe nuk kanë vërejtur ndonjë tjetër bllokim rrugësh.
Më pas, Dhoma e Komandës i ka njoftuar se ka dërguar një si shtesë në vendin e ngjarjes dhe po ashtu atyre u është thënë që të kthehen dhe të qëndrojnë në lokacion dhe t’i fotografojnë kamionët që bllokojnë rrugën dhe t’i dërgojnë fotot. Ai më pas shtoi se pas kthimit në lokacion janë koordinuar me kolegët e tyre, që njëri koleg të qëndrojë afër automjetit të cilin e kanë ndalur rreth 30 m nga ura apo kamionët e dyshimtë, ndërsa ai dhe kolegu i tij janë afruar të vëzhgojnë rreth kamionit, por që ata nuk kishin vënë re asgjë të dyshimtë, asnjë lëvizje të dikuj apo diçka të tillë. Ka pasur heshtje të plotë në atë zonë.
Aty kanë qëndruar rreth 15-20 minuta derisa kanë ardhur njësitet shtesë të dërguara nga dhoma e komandës, 2 (dy) automjete zyrtare me nga 3 policë, (njëra automjet ishte Toyota, në të cilën ishte rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa automjeti tjetër ishte Shkoda), të cilët parkuan para automjetit të tyre dhe zbritën nga automjeti në këmbë.
Njësiti ka shkuar në drejtim të kamionëve, ndërsa ata (dëshmitari Alban Rashiti dhe rreshteri Afrim Bunjaku) kanë zënë pozita mbrojtëse dhe në të njëjtën kohë kanë vëzhguar. Në ato momente heshtje, ai (Alban Rashiti) dëgjoi një shpërthim nga ana e majtë dhe menjëherë kuptoi se ishte qëlluar në krahun e majtë, ku më pas vazhdoi të lëvizte djathtas drejt kamionit që ishte afër rrugës për t’u strehuar, por në në atë moment ai dëgjoi një shpërthim tjetër që ishte shumë afër tij dhe më pas në drejtim të tij filluan të shtëna nga armët e zjarrit nga drejtimi i fshatit dhe manastirit. Në atë moment ka vërejtur se rreshteri Afrim Bunjaku ka mbetur i shtrirë në tokë.
Policët filluan t’i përgjigjen zjarrit, ndërsa ai dhe kolegu i tij i kërkuan një kolegu tjetër, i cili ishte në veturën zyrtare, që ta çonte automjetin në vendin ku rreshteri ishte shtrirë në tokë për ta larguar, por kur kolegu ka nisur të lëvizë, mjeti është goditur nga një granatë dhe ka humbur funksionin. Më pas kolegu shkoi të merrte një veturë tjetër të cilën e gjuajtën me armë zjarri gjatë gjithë kohës derisa kolegu arriti ta merrte veturën dhe t’i afrohej rreshterit, kërkoi ndihmë për ta vendosur rreshterin në automjet dhe më pas ai tha se edhe ai është goditur, për të cilën ata nuk ishin informuar më herët.
Pastaj njëri nga policët u kthye në vendin ku ishte ai (dëshmitari), teksa dy policë të tjerë hipën në automjet dhe filluan të largohen nga vendi i ngjarjes, dhe sulmuesit filluan të qëllojnë në drejtim të automjetit.
(Dëshmitari) ka vërejtur se janë dëmtuar gomat e përparme dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë arritur të largohen në drejtim të rrugës kryesore. Ai (dëshmitari) dhe kolegu i tij mbetën në vendin e ngjarjes, si dhe një koleg i cili ishte në kamionin mbi urë, me të cilin ata komunikuan dhe ranë dakord që ai të vinte tek ata kur të pushonin sulmet. Në atë moment, në një distancë të pacaktuar sipër tij, ka vërejtur një dron që ka ndjekur lëvizjet e tyre, ka qëlluar në drejtim të dronit, por nuk e di nëse ka arritur ta godasë pasi ka mbetur i plagosur në dorën e majtë.
Më vonë ai ka vërejtur një automjet të blinduar zyrtar që ka ardhur nga Stacioni Policor i Kushtovës, me qëllim që t’i ndihmojë ose t’i nxjerrë nga vendi ku ndodheshin. Përmes radiolidhjes ata kanë komunikuar me togerin Haki Morina, të cilit i kanë kërkuar t’i afrohet sa më shumë dhe kanë arritur të hipin në autoblindë së bashku me dy kolegë të tjerë dhe janë nisur në drejtim të dy kolegëve të tjerë që ishin pranë Shkodës.
Më vonë ka vërejtur se në vendngjarje kanë dalë kolegët që ndodheshin në pikën kufitare të Izvorit – Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë – me një automjet të blinduar dhe njësiti i Policisë Kufitare me një automjet tjetër të blinduar dhe me sa kujton ai (dëshmitari), ata dy kolegët hynë në njërën prej mjeteve të blinduara. Asokohe nuk kishte mbetur asnjë polic përveç automjeteve zyrtare, të cilat ishin të palëvizshme.
Menjëherë kolegu i ka ofruar ndihmën e parë dhe i ka vënë një copë leckë në krah për ta ndalur gjakderdhjen dhe më pas e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Nga Mitrovica ai me autoambulancë është transportuar menjëherë në emergjencë (QKUK) për të marrë ndihmë mjekësore. Me të mbërritur në emergjencë ka marrë ndihmë mjekësore, është dashur të operohet.
Në fund, ai shtoi se është ndjerë i lënduar për shkak të lëndimeve të rënda nga predha, konkretisht nga lënda shpërthyese, e cila në atë moment ka vrarë kolegun e tij Afrim Bunjaku, ndërsa ai (dëshmitari) është dashur të operohet. Ai ka raporte mjekësore nga trajtimi i tij spitalor dhe tani është në pushim mjekësor, ku vazhdon të marrë kujdesin mjekësor dhe nuk është ende gati të rifillojë punën si polic.