“Kam shkelur etikën morale, jo ligjin”/ Safet Gjici: U kërkoj falje banorëve të Kukësit dhe familjes
Ish-kryetari i bashkisë së Kukësit Safet Gjici ka kërkuar pafajësi në Gjykatën e Posaçme me argumentin se ka “rënë pre e një kurthi të ngritur” nga kundërshtari i tij Abedin Uruçi i cili sipas Gjicit ka bashkëpunuar me Alma Kaçin.
“Kam vetëm përgjegjësi morale. I kërkoj ndjesë familjes time e qytetarëve të Kukësit”, ka thënë ai.
“Kam disa gjëra shtesë për të thënë përpos atyre që tha avokati. Përplasja ime me Abedin Orucin ka nisur që në vitin 2019 kur unë në cilësinë e kryetarit të bashkisë i hoqa atij rrethimin me kangjella hekuri të sheshit para bashkisë sepse nuk ishte pronë e tij. Këtë gjë e provova në bazë të dokumenteve në kadastër që ajo tokë nuk ishte e Abedin Orucit. Bëhet fjalë për 9.3 dynym tokë. Po ashtu unë nuk kam lejuar që Abedin Oruci të ndërtojë një objekt pa leje në afërsi të liqenit të Kukësit”.
Ndër të tjera ka deklaruar se me Orucin “kam pasur edhe përplasje fizike ditën që ka qenë Kukës ambasadorja holandeze”.
“Kam bërë kallëzim për Oruçin, 5 akuza ka pasur në ngarkim të tij në prokurorinë e Kukësit por kanë arritur që t’i pushojnë. Konflikti mes nesh ka qene i hapur dhe ai e paguajti Alma Kaçin në shenjë hakmarrje pse unë nuk e lashë të zaptonte pronat e Bashkisë dhe të ndërtonte në mënyrë të paligjshme. Ai ka qene 1 vit e ca ne kërkim për çështjen e ndërtimeve pa leje. Abedin Oruçi me ka sulmuar për shkak të detyrës, që nga 2019 pasi unë skam pas asgjë personale kam bërë vetëm detyrën”.
Sakaq, kujtojmë se Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar që Safet Gjici të dënohet me katër vjet e gjashtë muaj burg dhe pesë vjet heqje të drejte për të ushtruar funksione publike.
Nga ana tjetër, për Alma Kaçin, e cila është përfshirë në çështjen e Gjicit, është kërkuar një vit e gjashtë muaj burg, të cilat me gjykim të shkurtuar konvertohen në një vit.
Gjici dhe Kaçi i kanë qëndruar ndërkaq kërkesës së tyre për gjykim të shkurtuar.
Të dy personat, u ulën së bashku në bankën e të akuzuarve, gjatë seancës gjyqësore të 22 dhjetorit 2023, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ata i qëndruan kërkesës në seancën paraprake për gjykim të shkurtuar ndërkohë Prokuroria lexoi kërkesën për gjykim ku thuhet se nga hetimet, rezultoi një bisedë e zhvilluar mes Alma Kaçit dhe Safet Gjicit në zyrën e tij, ku Gjici pas favorit seksual, e drejtori Almën te Granit Gjana, për të folur mbi tenderin për strehimin e qenve endacakë.
Gjykata e Posaçme, të hënën të 4 dhjetorit vendosi të kalojë për gjykim çështjen penale ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici dhe Alma Kaçit.
Ata do të përballen në gjyq për akuzën e “korrupsionit”.
Në të njëjtën seancë gjyqtarja paraprake pranoi kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar.
Ndërkaq disa ditë më parë Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Alma Kaçit, e cila u shfaq në video duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e ish-kryebashkiakut të Kukësit.
Ndaj saj, togat e zeza kanë lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”.
Prokuroria e Posaçme më 25 nëntor ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Gjicit dhe Kaçit.
Referuar hetimeve të SPAK, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura është personi që i ka ofruar përfitime të parregullta të pandehurit Gjici.
Dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj, në formën e favorit seksual, ka premtuar ta ndihmojë me projektin e mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.
Hetimi për Gjicin
Prokurorët e SPAK kanë zbritur në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku kanë sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmojnë në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.
Oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, siç ka mësuar Albanian Post, kanë qëndruar për disa minuta në ambientet e Bashkisë dhe kanë marrë gjithashtu edhe kontaktet e punonjësve të informatikës në administratën rajonale.
Bashkëngjitur, janë marrë edhe disa dosje, rreth të cilave mund të bëhet verifikimi nëse gruaja që është pjesë e videos, ka paraqitur apo jo projekte pranë Bashkisë dhe nëse ato janë miratuar.
Kjo e fundit, është bërë po ashtu pjesë e hetimit, për arsye se nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, gruaja në fjalë në vitin 2021 ka themeluar një kompania me qendër në Tiranë, e cila ka si objekt “shërbime konsulence dhe shërbime menaxheriale për biznese të treta”.
Për këtë arsye, nga SPAK pritet të ndodhë një hetim i thellë i një dosjeje voluminoze, e cila do të shkojë në rrënjë të punës që Gjici ka kryer në mandatin e tij katër-vjeçar në krye të bashkisë.
Kështu, do të shihet edhe nëse ajo ka përfituar nga tenderë apo projekte publike në emër të kompanisë apo të personave të tretë.
Vetë ish-kryebashkiaku nga ana tjetër, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
SPAK thekson se pas sqarimit të rrethanave nga verifikimi që po kryhet për këtë çështje, situata penale mund të ndryshojë.
Si fillim pika kyçe e çështjes është dëshmia e vajzës, e cila është identifikuar nga Prokuroria e Posaçme.
Gjithashtu hetime po kryhen edhe për rrethanat në të cilin është kryer filmimi, për qëllimin dhe për arsyet e publikimit të videos intime.
Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën “ËhatsApp”.
Ajo është filmuar më datë 6 qershor dhe nuk dihet ende se e kujt është autorësia e videos, ose rrethanat në të cilën është filmuar.
Akuza kryesore që mund të ngrihet ndaj Gjicit ndërkaq, mund të të jetë ajo e “Shpërdorimit të detyrës”.
Ndërsa, raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.
Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.