Kamala Harris: Do vazhdojmë mbështetjen ndaj Kosovës si vend demokratik e multietnik
Kandidatja për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga radhët e Partisë Demokratike, Kamala Harris, ka thënë se SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen ndaj Kosovës si vend multietnik e demokratik, krejtësisht të integruar në komunitetin ndërkombëtar.
Këto komente, Harris i ka bërë në një letër që i ka dërguar komunitetit shqiptaro-amerikan, tri ditë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-ve (më 5 nëntor).
Letra është bërë publike nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, përmes një postimi në Facebook, të shtunën.
Në letrën e Harris-it fillimisht thuhet se shqiptarët e Amerikës kanë dhënë “një kontribut të paçmuar për kombin tonë për breza të tërë, duke sjellë me vete përkushtim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe lirisë”.
“Me qindra mijëra shqiptarë-amerikanë të vendosur në Shtetet e Bashkuara, forca e tyre vazhdon të na frymëzojë”, vazhdon tutje.
Shqiptarët e Amerikës, sipas zëvendës-presidentes amerikane, “kanë pasuruar komunitetet tona me shpirt sipërmarrës, vlera të forta familjare dhe angazhim për edukim dhe pjesëmarrje qytetare”.
“Nga biznesmenët e vegjël deri te profesionistë në fusha si mjekësia, ligji dhe shërbimi publik, ata kanë luajtur rol thelbësor në zhvillimin ekonomik dhe social të shumë qyteteve dhe komuniteteve në mbarë vendin”.