Kamberi, Bërnabiqit: Pse nuk po i përmend varrezat masive në Serbi?
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, është përplasur me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, gjatë seancës së sotme plenare, në të cilën po diskutoheshin disa ndryshime kushtetuese që janë propozuar nga qeveria .
Gjatë fjalimit të tij, deputeti Kamberi ka përmendur ndryshimin e nenit 1 të Kushtetutës të Serbisë, e cila e përcakton Serbinë si “shtet të popullit serb”.
Sipas tij, ky nen duhet të ndryshohet në tërësi, pasi është problematik në aspektin e pakicave.
Ai ka thënë se pakicat në Serbi përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë dhe një përkufizim i tillë përhap besimin se anëtarët e komuniteteve tjera janë “qytetarë të klasit të dytë”.
Si shembull, Kamberi ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, neni 1 i së cilës thotë se “Kosova është shtet i shtetasve të saj”.
Pas këtyre deklaratave, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministres serbe, raporton “B92”, përcjellë “Kosovapress”.
“Nuk është e drejtë që t’i referoheni Kushtetutës së Kosovës pasi jeni anëtar i Kuvendit në vendin në të cilën është ky territor. Ajo është krahina jonë dhe ju duhet ta respektoni atë. Nuk ka Kushtetutë të Kosovës për këtë shtëpi, ndërsa pavarësinë e fituan pa e pyetur askënd. Tash do t’ua tregojë më thjesht se çka do të thotë për mua Kushtetuta e Kosovës. Unë jam nga Karaburmi nga një pjesë e Beogradit dhe një mëngjes kam mundur të zgjohem dhe pa e pyetur askënd nga kjo pjesë unë e shpallë Republikën e Karaburmit. Një ditë më vonë e kam nënshkruar dhe sjellë ne Kuvend Kushtetutën e Karaburmit. E kjo Kushtetutë për këtë shtëpinë time këtu e ka të njëjtën vlefshmëri si ajo e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Bërnabiqi.
Më tutje, ajo ka përmendur disa raste, që sipas saj janë kryer ndaj të pafajshmëve në Kosovë, përfshirë “sulmet ndaj kishave dhe manastireve”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Kamberi, i cili i ka thënë kryeministres serbe se ajo mund të përmend edhe varrezat masive në Serbinë qendrore ku janë gjetur eshtrat e shqiptarëve në vend si Petrovo Selo dhe Batajnica.
Në lidhje me deklaratat e tilla, Bërnabiqi ka thënë se “rastet po hetohen”.