Kamberi dhe Lenjani mungojnë në stërvitjen e dytë të Shqipërisë, vjen Roshi

01 shtator 2020 | 16:18

Kombëtarja shqiptare zbriti sërish në fushë për seancën e dytë stërvitore të radhës, për ndeshjet e Kupës së Kombeve kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë.

Në ndryshim nga seanca e parë stërvitore, bashkë me grupin ishte bashkuar dhe Odise Roshi, i cili në fakt siç ishte bërë e ditur ishte afruar që të hënën në mbrëmje në grumbullim.

Ky i fundit, pas ushtrimeve të para të diktuata nga trajneri Edy Reja u stërvit i diferencuar bashkë me Berat Gjimshitin, duke bërë disa vrapime rreth fushës.

Arsyeja mund të jetë deri diku shqetësuese, pasi Roshi ka shfaqur probleme me kaviljen dhe do t’i nënshtrohet për këtë arsye dhe një rezonance magnetike për të kuptuar thellësinë e problemit, ndërsa mbrojtësi i Atalantës vuan nga lodhja muskulore, dhe për shkak të impenjimeve të shumta që ka patur këtë verë me Atalantën.

Ndërkohë seanca rrodhi e qetë në pjesën e lejuar për mediat, ku pas ushtrimeve të para fizike, trajneri kreu dhe disa ushtrime me top për lojtarët, kurse ndarja e grupit në dy pjesë, për shkak të jelekëve që mbanin veshur jepnin të dhënat se grupi me shumë mundësi në pjesën e mbyllur për mediat do të zhvillonte dhe një ndeshje brenda skuadrës, me trajnerin që mund të merrte të dhënat e para dhe për formacionin që do të hedhë në fushë në ndeshjen me Bjellorusinë, në program me datë 4 shtator.

Nuk janë bashkuar ende me grupin Lenjani dhe Kamberi, për shkak të masave të marra nga shteti zviceran për pandeminë COVID-19 dhe me shumë mundësi nuk do të jenë në grumbullim as në ditët e ardhshme ndërsa e konfirmuar që këtë të hënë ishte mungesa e Kumbullës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka nisur konsultimet me partitë…