Kamberi e Lutfiu takojnë Lajçakun, diskutojnë për sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se bashkë me deputetin Shaip Kamberi, kanë takuar në Bruksel emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, për të bashkëbiseduar dhe për ta njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës.
“E njoftuam z. Lajçak për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve. Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë”, ka shkruar Lutfiu në “Facebook”.
Ai ka shkruar se Lajçakun e njoftuan edhe për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën.
“Mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Prandaj edhe komunat e banuara me shqiptarë janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend. Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vështirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptarë. E ardhmja evropiane duhet të jetë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor ndërsa të drejtat e njeriut dhe pakicave duhet të jenë parakusht esencial i vazhdimit të rrugës së mëtejme drejtë Bashkimit evropian”, ka thënë Lutfiu.