Kamberi: I kam dërguar shkresë Borrellit dhe Lajçakut për Luginën, nuk ka diçka konkrete

23 maj 2023 | 11:53

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë me dije se i është drejtuar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me një shkresë për Luginën e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve atje.

“Përveç në Senatin dhe Kongresin amerikan unë drejtpërdrejtë iu kam drejtuar me një shkresë edhe zotit Borrell dhe Lajçak, i cili është ndërmjetës për dialogun Kosovë – Serbi por siç thotë emërtimi i tij edhe për çështje të tjera të Ballkanit Perendimor. E tash nuk ka ndonjë reagim konkret, ajo që thuhet në letrën kthyese të zotit Borrell dhe Lajçak që kam marrë unë se të drejtat e shqiptarëve janë një shqetësim edhe për Bashkimin Evropian por se duhet të trajtohen në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Kamberi ka thënë se marrëveshja e Ohrit në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë,  Aleksandër Vuçiq krijon një standard të ri të trajtimit të barabartë të komuniteteve në rajon.

“Ne jemi munduar që në kuadër të lobimit që e kemi pasur në Uashington të insistojmë edhe në institucionet më të larta të Shteteve të Bashkuara të politikbërjes në Kongres, Senat, në State Department të shtrojmë këtë temë dhe është tash inkurajuese ditëve të fundit ajo që ndodhi në Kongresin Amerikan ku ishte një dëgjim ku përmendet Lugina e Preshevës”, ka thënë Kamberi në “Tëvë1”.

Më tutje, Kamberi ka thënë se pavarësisht që Kosova ka marrë disa obligime sa i përket komunitetit serb në Kosovë, ai ka cilësuar se këto obligime nuk duhet të jenë të karakterit ekskluziv.

“Me 25 të këtij muaji do të kemi një takim të drejtpërdrejtë me delegacionin e Senatit dhe Kongresit Amerikan në Beograd ku do të shtohen temat që kanë të bëjnë me ndërtimin e parimeve universale në Ballkanin Perëndimor. Është shumë e qartë se Kosova ka marrë obligime sa i përket veriut dhe  një lloj të them mekanizmi politik juridik përmes të cilit do ti garantojnë Listës Serbe disa të drejta, por megjithatë nuk duhet lejuar që kjo të jetë e karakterit ekskluziv, sepse në Ballkan nuk ka vetëm një pakicë serbe ka edhe komunitete tjera që jetojnë”,  ka theksuar ai.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten, më 25 maj 2023, në orën 12, në…