Kamberi i reagon Bërnabiqit për deklaratën në Bled të Sllovenisë

29 gusht 2023 | 14:56

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, e cila në Bled të Sllovenisë ka deklaruar se shqiptarët në Luginë të Preshevës kanë të drejta dhe se ata askush nuk i vret.

“‘Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim’. Ky është mesazhi të cilin shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nga Forumi Strategjik në Bled , e paska dërguar Ana Brnabiq, kryeministre e Serbisë. Sipas Brnabiq, shqiptarët në Luginë të Preshevës, ‘paskan të drejta’ sepse askush si ‘vranë’, ndërsa Serbët në Kosovë jo, është vazhdimësi e politikës zyrtare të standardeve të dyfishta të Serbisë për trajtimin e pakicave, dhe mohimit të të drejtave elementare të pakicave brenda territorit të vet, ndërkohë që për pakicën e vet në Kosovë, tenton të ndërtojë standarde që nuk ekzistojnë në asnjë shtet tjetër”, ka shkruar Kamberi në “Facebook”.

Më tutje, Kamberi i ka listuar diskriminimet dhe dhunën me të cilën janë përballur shqiptarët e Luginës vite me radhë.

“Vetëm në periudhën e bombardimeve të NATO-së më 1999 në Komunën e Preshevës, territor nën kontrollin absolut të forcave serbe të sigurisë, janë vrarë 11 civilë shqiptarë, për të cilët nuk ka dhënë llogari askush. Në Komunën e Bujanocit, gjatë vitit 2000, janë vrarë 13 civilë tjerë. Qindra shqiptarë tjerë, janë keqtrajtuar: rrahur e plaçkitur nga forcat serbe të sigurisë, pa u dënuar askush”, ka shkruar ai.

Kamberi ka theksuar se “Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, në të cilën me ligj është ndaluar përdorimi publik i simbolit kombëtar”.

Postimi i plotë i Kamberit:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranua letrat…