Kamberi ia paraqet Vuçiqit planin 7 pikësh për shqiptarët (video)
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka nisur të enjten takimet konsultative me partitë parlamentare për krijimin e qeverisë së re.
Të parët që i takoi ishin përfaqësuesit e koalicionit “Shqiptarët e Luginës” të prirë nga deputeti i vetëm shqiptar në përbërjen e re në kuvendin serb, Shaip Kamberi.
Pas konsultave Kamberi, ka thënë se ia kanë prezantuar Aleksandër Vuçiqit, një plan prej shtatë pikave, në realizimin e të drejtave të banorëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
“Tema kryesore e këtij plani është zhvillimi ekonomik, integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë, pastaj çështja e mos pranimit të diplomave, pasivizimi i adresave të banimit, si dhe veprimi kundër përdorimit të termeve fyese ndaj shqiptarëve, sidomos termin pezhorativ ‘shiptar’. Këto janë disa tema kyçe që nënkupton jeta për njerëzit tonë”, u ka thënë Kamberi, gazetarëve pranë presidencës së Serbisë.
Ai ka thënë se nuk e kanë prioritet hyrjen në ekzekutivin e ri në Beograd, por vetëm realizimin e të drejtave themelore për shqiptarët e Luginës.
“I kemi kërkuar presidentit që ai personalisht të angazhohet për t’u realizuar ky plan. Me ardhjen tonë në Beograd duam të tregohemi konstruktiv dhe të japim ofertë që të jemi partner në zgjidhjen e problemeve që i kanë njerëzit e Luginës”, ka thënë Kamberi.
Kamberi ka shtuar se është momenti që sipas tij të bëhet diçka ose tre komunat në jug të Serbisë që banohet kryesisht nga shqiptarët do të braktisen në tërësi.
https://youtu.be/UT93SdIaE_o