Kamberi kërkon plan shtetëror për të ndihmuar Luginën e Preshevës

30 tetor 2021 | 22:59

Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2022, në kuadër të të cilit dy milionë euro janë dedikuar për Luginën e Preshevës.

Një gjë e tillë është mirëpritur nga deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“Vendim pozitiv buxhetimi prej 2 milionë euro për Luginën e Preshevës në Projektligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2022, nga ana e Qeverisë së Kosovës”, shkruan Kamberi.

Tutje ai thotë se, “Plotësimi i kësaj kërkese dhjetëvjeçare të përfaqësuesve institucionalë dhe politikë të Luginës së Preshevës është i rëndësishëm, sepse shmang vendimet ad hoc qeveritare”.

Sipas tij, buxhetimi i Luginës së Preshevës nga Kosova duhet të shoqërohet edhe me hartimin e një plani dhe programi shtetëror, si dhe funksionalizimin e një organi qeveritar.

“Më e rëndësishme se shuma financiare është qasja shtetërore dhe institucionale, si në rastin e buxhetimit shtetëror. Besojmë se ky buxhetim do të shoqërohet me hartimin e një Plani dhe Programi shtetëror së bashku me të zgjedhurit e Luginës së Preshevës, si dhe me funksionalizimin e një organi qeveritar për Luginën e Preshevës”, shkruan ai.

“Këto janë politika dhe praktika që zbatohen nga shtetet demokratike dhe anëtarë të Bashkimit Evropian”, shprehet Kamberi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trepça ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 94:72…