Kamberi: Kurti nuk e solli përçarjen, e gjeti në Luginë të Preshevës
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se në Luginë të Preshevës nuk ka asnjë gjykatës dhe prokuror shqiptar.
Ai ka thënë se pozita e shqiptarëve në të tri komunat duhet të përmirësohet me ligj, për çfarë ka premtuar angazhim në Kuvendin e Serbisë.
Teksa ka komentuar raportet me institucionet vendore, ai është shprehur se pa ndihmën e Kosovës dhe Shqipërisë e kanë të vështirë të mbijetojnë nga diskriminimi.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti nuk e ka sjell përçarjen në Luginë, por që lufta politike ka nisur kohë më parë.
“Askush nga jashtë nuk mund ta përçajë Luginën nëse ne nuk pranojmë të përçahemi. Ne këtu jemi tetë apo nëntë parti të regjistruara politike, me tendenca që të ketë edhe të tjera që do të thotë se bajraktarizmi këtu ka filluar shumë herët. Akuzat ndaj kryeministrit janë të pabaza sepse Albin Kurti nuk e solli përçarjen këtu, e gjeti në Luginë në Preshevës. Ekzistimi i shumë partive, lufta politike që është për pushtet lokal që është prioritet i shumicës së partive politike dhe që fare nuk kanë interesim se çfarë bëhet në nivelin e dytë dhe në nivelin e tretë të shtetit, është ajo çfarë sjell përçarjen. Përkrahja e Prishtinës është e domosdoshme. Përkrahja e Tiranës është e domosdoshme sepse Shqipëria është shtet i NATO-s, Shqipëria, është shtet anëtar i OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë ku mundet çështjen e shqiptarëve ta trajtojë”, ka thënë Kamberi.
“Vetëvrasje për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, e ka quajtur Kamberi tendencën për luftë politike me institucionet e Kosovës. /KP