Kamberi: Lugina e Preshevës duhet të përfshihet në finalen e dialogut

18 korrik 2018 | 14:28

Nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë  se Lugina e Preshevës duhet të përfshihet në fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se përfshirja e Luginës në këtë proces do t’u ndihmojë shqiptarëve dhe do të  shërbejë për t’i balancuar kërkesat e shfrenuara të spektrit politik serb në Kosovë.

“Nga Kuvendi, Qeveria e presidenti i Kosovës kërkojmë angazhim maksimal që në ‘finalen’ e dialogut të Brukselit të trajtohen edhe të drejtat e shqiptarëve. Ne mendojmë se kjo jo vetëm se do ta ndihmojë gjendjen e shqiptarëve, por edhe Kosovës do t’i shërbejë për t’i balancuar kërkesat e shfrenuara të spektrit politik serb në Kosovë. Raportet e mira ndërmjet dy shteteve besojmë janë të kushtëzuara nga trajtimi reciprok i pakicave të ndërsjella, prandaj edhe konstatimi në deklaratën tonë është se nuk besojmë në stabilitet në këto hapësira derisa shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen”, ka deklaruar Kamberi. Ai ka bërë me dije se situata e përgjithshme politike në Luginën e Preshevës nuk është e kënaqshme.

Sipas Kamberit, diskriminimi sistematik shtetëror ndaj shqiptarëve po vazhdon dhe se autoritetet serbe po i injorojnë kërkesat politike të shqiptarëve. “Sot, pavarësisht prej faktit se në aspekt të sigurisë mbretëron qetësi dhe nuk ka incidente që e rrezikojnë sigurinë, nuk mund të thuhet se situata e përgjithshme është e kënaqshme. Kjo për arsye se diskriminimi sistematik shtetëror ndaj shqiptarëve po vazhdon dhe autoritetet serbe vazhdojnë injorimin e kërkesave politike të shqiptarëve”, është shprehur ai, duke shtuar se Serbia nuk është duke i zbatuar marrëveshjet e arritura që kanë për qëllim avancimin e të drejtave të shqiptarëve. “Që nga viti 2001, pas përfundimit të luftës së UÇPMB-së, Serbia ka nënshkruar tri marrëveshje me shqiptarët përmes të cilave ka marrë obligim për ndërmarrjen e masave adekuate për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Megjithatë, gjithë këto marrëveshje nuk po respektohen dhe nuk përmbushen kërkesat që ato përmbajnë. Kjo e bën pozitën e shqiptarëve diskriminuese”, ka theksuar Kamberi.

“Epoka e re”: Z. Kamberi, cila është situata politike në Luginë të Preshevës?
Kamberi: Sot, pavarësisht prej faktit se në aspekt të sigurisë mbretëron qetësi dhe nuk ka incidente që e rrezikojnë sigurinë, nuk mund të thuhet se situata e përgjithshme është e kënaqshme, për arsye se diskriminimi sistematik shtetëror ndaj shqiptarëve po vazhdon dhe autoritetet serbe vazhdojnë t’i injorojnë kërkesat politike të shqiptarëve.

“Epoka e re”: Shumë herë është bërë thirrje për avancim të të drejtave të shqiptarëve në Luginë. Ka ndonjë përmirësim në këtë drejtim?
Kamberi: Që nga viti 2001, pas përfundimit të luftës së UÇPMB-së, Serbia ka nënshkruar tri marrëveshje me shqiptarët përmes të cilave ka marrë obligim për ndërmarrjen e masave adekuate për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Megjithatë, gjithë këto marrëveshje nuk po respektohen dhe nuk përmbushen kërkesat që ato përmbajnë. Kjo e bën pozitën e shqiptarëve diskriminuese.

“Epoka e re”: Cili është komunikimi i liderëve të Luginës së Preshevës me përfaqësuesit qeveritarë serbë në aspektin e përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve. A po merren për bazë kërkesat e juaja nga pala serbe?
Kamberi: Vetë fakti se ne kemi bërë tri marrëveshje me Serbinë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, është tregues i qartë se komunikimi ka ekzistuar. Ne gjatë vitit të kaluar kemi pasur takim me presidentin e Serbisë, Vuçiq dhe dy takime me kryeministren Brnabiq. Pavarësisht prej premtimeve që janë dhënë, autoritetet serbe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për t’i përmbushur këto obligime.

“Epoka e re”: A ka unitet në mes të faktorit politik shqiptar sa iu përket kërkesave të komunitetit shqiptar?
Kamberi: Ne kemi aprovuar disa deklarata dhe platforma politike në kuadër të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë, trup ky koordinues i qëndrimeve dhe vendimeve politike të shqiptarëve sa i përket qëndrimit për pozitën tonë politike. Kjo do të thotë se në këtë aspekt ekziston një unitet në mendime sa iu përket kërkesave tona drejtuar Beogradit zyrtar.

“Epoka e re”: Javën e kaluar nëpërmjet miratimit të një deklarate të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë keni kërkuar që Lugina e Preshevës të përfshihet në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi. Për këtë çështje a keni pasur takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, që ata të jenë të njoftuar për këtë kërkesë?
Kamberi: Ne vazhdimisht kemi takime me institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të cilët i kemi informuar për rrjedhat politike dhe kërkesat e shqiptarëve. Këtë herë kërkesat tona, përmes kësaj deklarate, janë edhe më të drejtpërdrejta. Nga Kuvendi, Qeveria e presidenti i Kosovës kërkojmë angazhim maksimal që në ‘finalen’ e dialogut të Brukselit të trajtohen edhe të drejtat e shqiptarëve. Ne mendojmë se kjo jo vetëm do ta ndihmojë gjendjen e shqiptarëve, por edhe Kosovës do t’i shërbejë për t’i balancuar kërkesat e shfrenuara të spektrit politik serb në Kosovë. Raportet e mira ndërmjet dy shteteve, besojmë, janë të kushtëzuara nga trajtimi reciprok i pakicave të ndërsjella, prandaj edhe konstatimi në deklaratën tonë është se nuk besojmë në stabilitet në këto hapësira derisa shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen.

“Epoka e re”: Nëse edhe në këtë fazë finale të dialogut Lugina nuk përfshihet, cilat do të jenë masat që do të ndërmerrni si faktor politik shqiptar, sepse është përmendur edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën?
Kamberi: Në këtë fazë kemi adresuar këto kërkesa. Se cilat do të jenë veprimet tona të radhës, do të shohim varësisht edhe zhvillimit të situatës. Është e sigurt se ne do të mundohemi që me Prishtinën t’i harmonizojmë të gjitha detajet.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian gjobiti “Google” me një shumë rekord prej 4,3…