Kamberi mirëpret përkushtimin e partive politike në Kosovë për Luginën e Preshevës
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka mirëpritur përkushtimin dhe angazhimin e partive politike në Kosovë për Luginën e Preshevës, të paraqitura edhe përmes fushatës parazgjedhore.
Ai ka thënë se ky angazhim është i mirëseardhur. Në këtë kontekst, ai ka uruar Kosovën për zgjedhje të lira dhe demokratike.
“I uroj Republikës së Kosovës zgjedhje të lira dhe demokratike. Besoj se pas zgjedhjeve, të zgjedhurit e institucioneve ekzekutive e legjislative të Republikës së Kosovës dhe ata/o të Luginës së Preshevës, do të mund të bashkërendohen për hartimin dhe zbatimin e një plani dhe programi të përbashkët, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, ka shkruar Kamberi në llogarinë e vet në “Facebook”.