Kamberi: Paralajmërimi i Serbisë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, ka thënë se paralajmërimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Kamberi ka theksuar se rajoni ka nevojë për paqe dhe progres, pasi siç ka vlerësuar ai, vendimet e tilla i rikthejnë vitet e 90-ta.
“Paralajmërimet për shërbim të detyrueshëm ushtarak në Serbi, edhe pse lëvizje strategjike marketingu nga presidenti Aleksandër Vuçiq është i papranueshëm dhe duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Serbia, sot nuk është e kërcënuar nga asnjë prej vendeve fqinje, madje përkundrazi, rasti i 24 shtatorit vitit të kaluar në Banjskë ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje dhe kush synon agresori. Rajoni ka nevojë për paqe dhe progres, ndryshe vendimet e këtilla luftënxitëse vetëm sa na rikthejnë në vitet e 90-ta”, ka shkruar Kamberi në “Facebook”.