Kamberi, presidentit serb: Hiqni dorë nga ëndrra për Kosovën
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar edhe një herë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq që të heq dorë nga ëndrrat e tij për kolonizimin e Kosovës.
Ai ia ka rikujtuar presidentin serb sintagmën e tij kur ishte bashkëpunëtorë i Sllobodan Millosheviqit: “T’i vrasim 100 për 1”.
Kamberi që është edhe kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Luginën e Preshevës – Partisë për Veprim Demokratik, rikujtuar edhe deklaratën presidentit serb: “Mund të na vrisni të gjithëve, por Kosovën nuk e njohim”.
Në këtë drejti,, Kamberi ka thënë se këto deklarata janë armiqësore sepse askush nuk dëshiron t’i vras serbët.
“Mjaft me patetizmin tuaj z. president. Mos e frikësoni dhe armiqësoni popullin më kot sepse askush nuk dëshiron të ju vrasë. Shqiptarët janë për paqe sepse pikërisht ata kanë qenë viktimat më të mëdha të ambicieve kolonialiste të fqinjëve të tyre në shekullin e kaluar. Por ju, është koha e fundit të kthjelloheni nga andrallat tuaja kolonialiste rreth Kosovës”, ka shkruar Kamberi në “Facebook”.
Ambiciet e presidentit serb, sipas Kamberit janë “njësoj sikurse reklamimi i çmimit të salamit (parizerit)”. “Ato tashmë po shkaktojnë humbje në jetë njerëzish. Brengosja juaj për serbët e Kosovës është destruktive. Fundja, ‘do të vrasim 100 për 1’ kurrë nuk e ka thënë apo përsëritur një shqiptar. Autorësia e saj ju përket juve”, ka shkruar Kamberi, duke iu referuar presidentit serb.
Ndryshe, gjatë viteve ’90, president serb që atëbotë ishte në strukturat e larta të Partisë Radikale Serbe, kishte thënë në Parlamentin e Serbisë, se nëse boshnjakët e vrasin një serb, serbët do t’i vrasin 100 boshnjakë. Kujtojmë se vetëm në Srebrenicë kishte ndodhur gjenocidi më i madh ndaj popullsisë civile ku ishin vrarë më shumë se 8 mijë civilë bonjakë nga ushtria serbe